Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Peci: Mbyllja e pompës “Patroni” ka qenë veprim i guximshëm i imi

Peci: Mbyllja e pompës “Patroni” ka qenë veprim i guximshëm i imi

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, njëherit kandidati për deputet nga radhët e Listës “Guxo” ka deklaruar se mbyllja e pompës së derivateve “Patroni” ka qenë një veprim i guximshëm i tij.

Peci tha se ky vendim ka qenë i domosdoshëm për shkak se aty planifikohet të ndërtohet objekti i Ministrisë së Bujqësisë.

“Mbyllja e pompës së benzinës përballë objektit të Sigurisë Nacionale të Kosovës ka qenë veprim i guximshëm që është dashur të ndërmarrë, për shkak se aty do të ndërtohet objekti i Ministrisë së Bujqësisë,” tha ai.

Një pikë e pompës së derivateve “Patroni” Sh.P.K., në pronësi të afaristit Driton Morina, u mbyll me datë 1 shkurt me vendim të Ministrisë së Bujqësisë.

Inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë, të asistuar nga Policia e Kosovës, kishin vendosur shirita në prona që ndodheshin përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në Prishtinë.

Kjo hapësirë sipas ministrisë ishte shfrytëzuar nga një biznes privat, i cili shërbente si pompë derivate dhe kishte një kontratë qiramarrëse që daton nga viti 2018.

Lirimi i kësaj hapësire bujqësore ishte një veprim i planifikuar, bazuar në një paralajmërim të dhënë nga Ministria e Bujqësisë ndaj biznesit ‘Pompa e Derivateve Patroni’ që ishte bërë në muajin tetor dhe dhjetor të vitit të kaluar.