Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit aktual, Ferit Idrizi, duke e akuzuar atë për manipulator dhe keqmenaxhim të pronave publike në komunën e Vushtrrisë.
Sipas Tahirit, Idrizi ka shpërfillur detyrimet ligjore që kërkojnë konsultime publike dhe ka manipuluar proceset ligjore për të favorizuar interesat e tij.
“Ferit Idrizi është i padenjë për të udhëhequr Komunën e Vushtrrisë. Ai ka manipuluar Kuvendin e Komunës dhe qytetarët, duke formuar komisione dhe duke paraqitur propozime pa respektuar ligjin për Vetëqeverisje Lokale,” ka thënë Tahiri.
“Përpara se të ndërpriste kontratat dhe të shpallte thirrje publike, ai ishte i obliguar të zhvillonte konsultime publike me qytetarët, por nuk e bëri këtë, sepse ka vepruar në mënyrë manipulative.”
Tahiri ka thënë gjithashtu se Idrizi ka mashtruar Kuvendin dhe qytetarët edhe në lidhje me Zonën Ekonomike në Lumadh. Ky projekt, i vlerësuar si i ligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në vitin 2021, është shoqëruar me akuza të rreme nga Idrizi dhe Shpetim Fadilaj.
“Feriti dhe Shpetimi vazhdojnë të tentojnë ta rikthejnë projektin në pikën zero, duke kërkuar ta kalojnë në duar të miqve të tyre. Kjo ka sjellë edhe paditë ndaj Komunës së Vushtrrisë, dhe dëmet financiare që mund të shkaktohen mund të arrijnë miliona euro,” shkroi Tahiri në Facebook.
Ai ka potencoi se humbja e katër viteve të shpenzuara për Zonën Ekonomike dhe moskrijimi i 800 vendeve të punës janë pasojë e sabotimeve dhe shpifjeve të bëra nga Idrizi dhe Fadilaj.
“Në fund, Prokuroria Speciale hodhi poshtë pretendimet e tyre si të pabazuara,” tha Tahiri.
Ai ka falënderuar Këshillin e Fshatit Stanoc i Poshtëm për reagimin e shpejtë dhe ka theksuar se ka qenë gjithmonë i koordinuar me ta për të mbështetur qëndrimin e drejtë të qytetarëve.
“Qytetarët e Vushtrrisë meritonin më shumë, dhe tani është koha që Ferit Idrizi të japë dorëheqje,” ka përfunduar Tahiri.