Biznismeni i ndërtimit, Mustafë Grainca ka shënuar një tjetër fitore në një betejë gjyqësore të tij që po vazhdon kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Ankesa e Granicës kundër aktgjykimit të themelores është aprovuar si e bazuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës, duke e kthyer edhe njëherë tjetër në riprocedim çështjen me vlerë kontesti me shumën prej 65 mijë eurove.
Grainca kishte ushtruar padi për shpifje kundrejt Bashës, me kërkesë për kompensimin e dëmeve që pretendon se i ka shkaktuar deputeti i pushtetit, duke kërkuar dëmshpërblim në formë kompensimi prej 65 mijë eurove.
Pas shqyrtimit në tri instancat e gjyqësorit, Gjykata Themelore në Ferizaj përsëri ka marrë një vendim në kundërshtim me dispozitat e procedurës kontestimore. Mirëpo, vendimi tyre është prishur nga kolegji i Gjykatës së Apelit.
Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit të datës 25.11.2024, të cilin e ka siguruar Paparaci, ankesa e Mustafë Graincës është aprovuar si e bazuar, ndërsa aktgjykimi i themelores është prishur dhe çështja është kthyer në rigjykim.
Në arsyetimin e Apelit thuhet se themelorja ka dështuar të japë arsye dhe prova bindëse për ta provuar gjendjen faktike, duke vepruar kështu në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara ligjore.
Kolegji i Apelit ka theksuar se në arsyetimin e themelores vetëm janë bërë përshkrimet e deklarimeve të të paditurit – Dimal Bashës gjatë seancave gjyqësore, por ka munguar një arsyetim i mirëfilltë i gjykatës.
“Gjykata ka dështuar që të jap arsye bindëse që i referohen fakteve si i paditur në shkrimet dhe publikimet e tij a ka dhënë opinion apo ka qenë lajm. Sipas kolegjit të apelit, një opinion i tillë a është bërë me qëllim të mirë në raport me interesin publik apo ka shkarje nga ky interes dhe se a ka tejkalim të opinionin në rastin konkret. Pozita e të paditur a ka qenë opinionist apo gazetar. Gjykata në raport me deklarimin e të paditurit se paditësi paguhet nga buxheti i komunës për pozitën e këshilltarit të kryetarit të komunës nuk ka elemente shpifëse sepse i padituri nuk ka ditur apo nuk ka mundur me besu se nuk paguhet për pozitën e këshilltarit pra ky është një arsyetim i mangët e si i tillë madje nuk është në përputhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që i referohet arsyetimit të vendimeve.
Për gjykatën e shkallës së parë emërtimi “Ndërtime të Kriminializuara” nuk përbëjnë shpifje dhe fyerje sepse termi është i përgjithshëm dhe jo i përveçëm përkundër faktit se ndërtimet e paditësit janë bërë në bazë të lejes së ndërtimit pra këto janë konstatime të paarsyetuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë. Krahasimi i gjykatës në raport me shprehjen “Ndërtimet e Kriminalizuara” që pretendon se janë përdorur si metaforë me rastin e përdorimit të shprehjes “Bishë” i përdorur në raport me policinë në rastin “Ferguson” kundër Irlandës nuk del të jetë identik apo i njëjtë, sidomos kur kihet parasysh se “Ndërtime të Kriminalizuara” apo “kriminel” shprehje qoftë e përgjithshme apo e përveçme arsyetohet si metaforë sepse këto aludojnë në ndërtime si rezultat i veprimtarisë së kundërligjshme apo penale duke e bërë kështu arsyetimin të paqëndrueshëm”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Në rishqyrtim, Apeli i ka dhënë rekomandime themelores që të eliminojë të metat që e kanë shoqëruar aktgjykimin fillestar, ashtu që gjendja faktike të vërtetohet në mënyrë të drejtë dhe të plotë, si dhe të bazohen në praktikën e GJEDNJ-së në raport me lirinë e shprehjes për ta vërtetuar se a ka tejkalim të saj apo jo.
Basha, në një deklarim publik, e kishte akuzuar Graincën për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimit në Komunën e Ferizajt, duke e cilësuar veprimtarinë e Graincës si “mafi të betonit”.
Pas këtij deklarimi, Grainca kishte ushtruar padi për shpifje kundrejt Bashës, me kërkesë për kompensimin e dëmeve që pretendon se i ka shkaktuar deputeti i LVV-së duke kërkuar dëmshpërblim prej 65 mijë eurove.
Grainca është një afarist në fushën e ndërtimit. Ai është pronar i “IDEA Invest” Sh.P.K., e cila është themeluar më 2015. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania figuron të ketë aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.
Më parë, ai ka qenë i përfshirë në Partinë Demokratike të Kosovës. Ka ushtruar për më shumë se një vit funksionin e zv/ministrit të Financave.