Shkruan: Afrim Kasolli
Se Vjosa Osmania dhe Edi Rama janë gjithnjë e më afër sa i përket qasjes diplomatike që duhet të ketë Kosova në raport me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, e dëshmoj edhe sot fjalimi i kryeministrit të shtetit shqiptar në Parlamentin e Kosovës.
Ky i fundit për këtë temë deklaroi “Kosova duhet ti japë Bashkimit Evropian provën e përkatësisë së saj në gjirin evropian, e për të bërë këtë, sipas kryeministrit të Shqipërisë duhet të përmbushë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”. Sipas tij në këtë fazë “kaq vendimtare në rrugëtimin e saj të integrimit evropian dhe euro-atlantik, Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian”.
Më një fjalë këshilla e Edi Ramës për Kosovën ishte se duhet ta gjejë rrugën e zbatimit të obligimeve që ka marr në procesin e dialogut së bashku me partneret ndërkombëtar, në këmbim të përfitimeve shtetërore duke e anashkaluar qëndrimin e Serbisë. Një strategji të tillë ka kohë që ka filluar ta adresoje edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo në disa intervista, ka pohuar se nëse shteti fqinj nuk” dëshiron të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, atëherë ne duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008, në kohën kur bëheshin negociatat për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë, dakordimi ynë, ka qenë me partnerët, jo me Serbinë, sepse Serbia nuk e donte Ahtisaarin dhe neve na duhet një dakordim i tillë”. Pra sipas saj, shteti i Kosovës duhet t’i zbatojë obligimet e tij nga procesi i dialogut, pavërisht qëndrimit të Serbisë, me kusht që kjo të bëhet në koordinim dhe të vlerësohet nga vendet aleate. Kështu, kjo qasje e re mund të shërbejë si një parakusht për zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës. Pra, në një fare mënyre integrimi euro-atlantik i Kosovës të mos mbetet peng i sabotimeve të Beogradit”
Mirëpo, për dallim nga ky sinkron diplomatik ndërmjet kryeministrit Rama dhe presidentes Osmani, shefi i Qeverisë së Kosovës, s’e ka përkrahur zbatimin e një anshëm të marrëveshjeve me Serbinë nga ana e Kosovës. I njëjti si në një interviste në Zëri të Amerikës, po ashtu edhe në raste tjera, ka deklaruar, se nuk mund të ketë plan B nëse nuk respektohet plani A dhe nëse nuk ka vullnet të mirë dhe mirëbesim të palëve.
Ai ka shtuar se “ne e respektojmë marrëveshjen, ne jemi të gatshëm që ajo të zbatohet, por nuk mund të kemi partneritet në zbatim, përderisa ka mosrespektim”. Për më shumë me qëllim që të shtohet besimi ndërmjet palëve kryeministri Kuri ka shtuar edhe tri kushte mbi Serbinë si hap fillestar drejt zbatimit Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Madje ai ka insistuar se atij i është thënë që marrëveshjen duhet ta bëj me Serbinë dhe jo me ndërkombëtarët. Kurse modelin e Edi Rames dhe Vjosa Osmanit e ka konsideruar si pjesë e asaj trashëgime që e kanë degraduar konceptin e marrëdhënieve ndërkombëtare vetëm në një proces “një-kahor”, pra vetëm si dhënie, e jo ashtu siç e përcaktohen nominalisht si “marrje” dhe “dhënie”. /TV Arbëria