Nga Afrim Kasolli
Se Edi Rama dhe Albin Kurti gjatë këtij mandati kanë pasur raporte të tensionuara është e ditur nga të gjithë. I pari e kishte rivalizuar të dytin edhe një zgjedhje te brendshme në Republikën e Shqipërisë. E të mos flasim për dallimet tjera. Madje duke shkuar deri atje sa kryeministri i Kosovës ta refuzonte takimin me “mysafirin e pa ftuar” në Prishtinë. Natyrisht, nuk mund të mohohet fakti se armiqësi herë të hapura e herë fshehura, kanë pasur edhe liderët tjerë politikë të Kosovës me Edi Ramën. Fillimisht me Hashimin Thaçin. Ndonëse ky i fundit personalisht nuk ishte përfshirë hapur në këtë duel. Mirëpo, ai e kishte përdorur Petrit Selimin dhe Enver Hoxhajn për t’i orientuar sulmet kundër tij për të ashtëquajturën “Autostrada e Paqes”. Këta bashkëpunëtorë të Thaçit atëbotë patën bërë akuza të rënda ndaj Ramës. Si lider që po u shërben serbëve. Apo se Kosova s’ka nevojë për mbështetjen diplomatike të shtetit shqiptar sepse institucionet e saj komunikojnë drejtpërdrejtë me aleatët perëndimorë për konsolidimin e shtetësisë.
I njëjti avaz ka vazhduar edhe me ish-kryeministrin Ramush Haredinaj. Madje ky konflikt mori përmasa brutale. Eskaloi në fyerje ndër-personale me etiketime të tradhtisë kombëtare. Si dhe u shoqërua me deponime të padive në gjykatë për shpifje.
Ishte menduar se me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet do të relativizoheshin këto tensione. Si për shkak të narracionit kombëtar të ndjekur nga Kurti ashtu edhe elozheve që dikur Edi Rama i kishte thurur për të parin si pasuri kombëtare. Madje partia e të parit ndër prioritet e Republikës e kishte edhe “ndërtimin e Komisioneve të Përbashkëta qeveritare dhe parlamentare me Republikën e Shqipërisë për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burimet e përbashkëta natyrore, si dhe tregun e përbashkët Kosovë-Shqipëri. Ky plan do të niste nga harmonizimi i Sistemit Doganor me Republikën e Shqipërisë, dhe do të vijonte me regjistrin e përbashkët civil dhe të bizneseve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, shkruante në programin qeverisës të Vetëvendosjes. Se sa janë zbatuar këto premtime dihet nga të gjithë ne. Përkundrazi përçarja ndërmjet dy liderëve ishte e pashembullt. Dallimet e fundit ndërmjet tyre edhe sa i përket pozicioneve të ndryshme për fatin e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut.
Zakonisht të gjithë liderët e Kosovës e kanë akuzuar kryeministrin e shtetit shqiptar, se dëshiron ta shtojë peshën e tij rajonale dhe ndërkombëtare në dëm të Kosovës. Ndërkohë, ky i fundit intervenimet kohë pas kohe në politikën e Kosovës i ka arsyetuar më këshillat që kjo e fundit të bëjë atë që është më e mira për të ardhmen e saj. Dhe këto antagonizma morën përmasa gati ekstreme, siç thamë gjatë këtij mandati.
Mirëpo, ata duket se sot kanë vendosur t’i lënë anash hasmëritë e tyre dhe ta krijojnë një atmosferë idilike të “pajtimit kombëtar”. Se kush fiton dhe kush humb nga kjo shfaqje mbetet të shihet. Nuk mund të mohohet fakti se për shkak të atmosferës zgjedhore në Kosovë mund të përdoret politikisht nga kryeministri Kurti. Dhe me këtë, ky i fundit ta relativiozje peshën e kritikave si përçarës i raporteve me Shqipërinë, siç shkruante dje Baton Haxhiu.
Mirëpo, po ashtu kjo ngjarje po ndodh pas disa takimeve rajonale që i ka zhvilluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Duke filluar nga takimi ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për të vazhduar me vizitën në Sarajeve dhe takimet me dy anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës; Denis Bećirović, anëtarin boshnjak të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Željko Komšić, anëtarin kroat të Presidencës. Ndërkohë, destinacione tjera të tij, ishin Kroacia dhe takimet me kryeministrin kroat, Andrej Plenković dhe në fund në Slloveni.
Madje analistë në mediat serbe këtë turrë ballkanik të shefit të Qeverisë së Kosovës e kanë konsideruar si përpjekje të tij për izolim rajonal të Serbisë. Dhe krijim të percpecionit se Prishtina në dallim nga Beogradi, ka raporte të shëndosha me të gjitha kryeqendrat tjera në ballkanike.
Në këtë drejtim mbase Edi Rama nuk ka pasur alternativë tjetër pos t’i nënshtrohet agjendës rajonale dhe “elektorale” të kryeministrit Kurti. Sepse nëse do ta refuzonte këtë shfaqje atëherë do të krijonte shtrat për sforcimin e një retorike edhe me inflamatore ndërmjet dy vendeve, ngase pikërisht në kohën kur shefin e Qeverisë së Kosovës po e mirëpresin të gjitha vendet rajonale, e që nuk është interes i Serbisë, ai po refuzohet vetëm nga kryeministri i shtetit shqiptar. /TV Arbëria