Shefi i Delegacionit të BE-së, në Serbi, Emanuele Giaufret ka deklaruar për televizionin publik serb RTS se është një lajm i mirë që Kosova dhe Serbia kanë formuar një komision të përbashkët për personat e zhdukur.
“Fatkeqësisht kemi rreth 1.600 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet. Është një pyetje vërtet e madhe humanitare, duhet dhënë përgjigje për familjet e të zhdukurve. Tani kemi një komision të përbashkët të kryesuar nga një përfaqësues special. Dhe kjo do të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm. Shpresojmë që do të sjellin rezultate të mira për hir të familjeve të të zhdukurve, për të zbuluar fatin përfundimtar të më të dashurve të tyre dhe mirëpresim një hap konstruktiv përpara në këtë çështje humanitare”, ka thënë Giaufret
I pyetur nëse pret që Kosova t’i përgjigjet thirrjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Giaufret ka thënë se Këshilli i BE-së për Çështje të Përgjithshme përsëriti se të dyja palët duhet t’i përmbushin obligimet e tyre.
“Kjo është tabloja më e madhe, Këshilli ritheksoi se të dyja palët duhet të përmbushin detyrimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Gjithashtu përmendet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse ka qenë në tavolinë prej vitit 2023 si pjesë e rrugës së normalizimit dhe, siç e dini, lehtësuesit e BE-së i kanë dhënë draft-statutin Kosovës dhe tani pritet që ajo të ndërmarrë hapa, për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Giaufret.