Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A është edhe diaspora burim i padrejtësive ekonomike dhe sociale në Kosovë?

A është edhe diaspora burim i padrejtësive ekonomike dhe sociale në Kosovë?

Shkruan: Afrim Kasolli

Te dhënat e publikuara dje mbi regjistrimin e popullsisë në Kosovë i konfirmuan edhe zyrtarisht dy trende të kundërta që kanë ndodhur në Kosovë gjatë kësaj dekade, atë ndërmjet bumit të ndërtimeve dhe zvogëlimit të popullsisë. Sipas një interpretimi fillestar kjo po ndodh sepse edhe qytetarët e Kosovës po i nënshtrohen transformimit të domosdoshëm shoqëror ku familjet po behën gjithnjë e më vogla, apo po rritet tendenca e qytetarëve që preferojnë të jetojnë vetëm.

Mirëpo, në anën tjetër, thuajse në çdo komune mbi 30 për qind të tyre janë të pabanuara. Bie fjala vetëm në Prishtinë 30.7 % të shtëpive dhe banesave janë të zbrazëta, kurse në Prizren 34, 7 përlind. Pra që tregon se në këtë paradoks mund të ndikojnë edhe variabla tjera. E këto, këto kundërthënie nuk kanë rezultuar më rënie të çmimit për metër katror, por përkundrazi me rritje të tyre. Madje ky i fundit është bërë gjithnjë e më papërballueshëm për të ardhurat mesatare të qytetarëve të zakonshëm të Kosovës.

Atëherë si mund të shpjegohet ky fenomen? Nëse i referohemi të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, ashtu edhe Raportit të Fundit të Progresit shumica e Investimeve të Huaja Direkete kanë shkuar kryesisht në blerjen e patundshmërive, banesave, lokaleve pronave etj nga mërgata jonë që jeton në shtetet perëndimore. Pra 86 për qind e tyre janë të orientuara në këtë sektor. Dhe po ashtu sipas këtyre të dhënave nuk mund të mohet fakti se vetëm gjatë vitit 2023 këto investime njohën një rritje prej 18 për qind. Investime këto që pak kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Natyrisht, këtu nuk duhet përjashtuar edhe një pjesë të ndërtueseve, por jo të gjithë, qe i takojnë shtresës super të pasur në Kosove, e që industrinë e ndërtimit mund të mos e kenë aktivitet primar ekonomik, por vetëm si mbulesë për aktivitete tjera, çfarë ndikon që të mos i nënshtrohen presioneve të ekonomisë së tregut sipas parimeve të ofertës dhe kërkesës.

Në këtë kontekst, këto janë disa nga shkaqet që mund të kenë ndikuar të kemi këtë realitet më me pak popullsi, më me shumë banesa dhe shtëpi, e deri në 30 për qind të tyre të pabanuara dhe me çmime gjithnjë e më pak të pa përballueshme për qytetarët mesatar. Në ndërkohë operimi brenda këtyre standardeve vetëm sa do të bëhet burim i pabarazive sociale dhe ekonomike. Sepse nuk janë kushtet e barabarta ndërmjet këtyre kategorive që në fillim.

Në shumë vende të botës qeveritë sidomos me orientim progresiv promovojnë politika që i zbusin këto pabarazi. Kryesisht nëpërmjet modelit progresiv të tatimeve. Bie fjala, në Britani të Madhe, pas ardhjes në pushtet të Partisë Laburistë, duke filluar nga 1 prilli i këtij viti do të aplikohet ky model. Kushdo që ka një shtëpi të dytë, do t’i dyfishohen taksat. Po ashtu, për ta zbutur krizën e banimit ky shtet ka marrë edhe vendime tjera. Nëse dikush e ka shtëpinë të pabanuar për më shumë se një vjet, po ashtu do të ngarkohet dyfish me tatim. Kurse nëse ajo ka qenë e pabanuar deri në 10 vjet, katër herë me shumë do të jenë obligimet tatimore financiare etj.

Edhe Qeveria e Kosovës u zotua se do ta zbatonte një ligj të tillë. Mirëpo, befas u tërhoq nga ky vendim, duke e shtyer të paktën deri në vitin 2025. Mbase e vetëdijshme se në këtë mënyrë do të mund t’i hakmerrej kryesisht në votat e diasporës, ajo zgjodhi oportunizmin momental elektoral, se sa luftën për barazi sociale që e propagandon si shtyllë të saj ideologjike, pavërisht se cila shtresë mund të jetë burim i saj. /TV Arbëria

Themes by WordPress