Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Veton Berisha: Egjiptianët dështuan në regjistrimin e popullsisë – e fajëson Elbert Krasniqin

Veton Berisha: Egjiptianët dështuan në regjistrimin e popullsisë – e fajëson Elbert Krasniqin

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me shifrat e regjistrimit të popullsisë, duke e cilësuar si një dështim të komunitetit egjiptian.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti i Statistikave të Kosovës, numri i egjiptianëve për vitin 2024 është ulur me rreth 1500 krahasuar me vitin 2011, duke arritur në 10,581 individë.

Berisha ka theksuar se ky është komuniteti i vetëm që ka pësuar një rënie në numër, ndërkohë që të gjitha komunitetet e tjera kanë shënuar rritje të theksuar.

Ai ka akuzuar ministrin Elbert Krasniqi dhe deputetin Fridon Lala për dështimin në mbrojtjen e interesave të komunitetit egjiptian, duke theksuar se ata po kontribuojnë në asimilimin e tij.

“Ja ku keni sjellë komunitetin egjiptian, ministër Krasniqi dhe deputet Lala! Me vetëdije po e dëshironi asimilimin. Kështu është kur merresh me çështje të jashtme dhe harron popullin tënd. Me çka do të krenoheni, o të mjerë? Çfarë do të mbani mend?” – ka deklaruar Berisha.

Ai ka kërkuar që autoritetet të kërkojnë falje nga komuniteti egjiptian dhe ka shprehur shqetësimin e tij se ky trajtim i padrejtë nuk është i merituar për këtë komunitet.

“Urime për sukseset ju tjerëve, por ju po na i shkaktoni humbjet. Të paktën, kërkoni falje për këtë dështim,” ka përfunduar Berisha.