Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Paralajmërimi shkarazi i Glauk Konjufcës mbi mendësinë e rrezikshme qeverisëse të Albin Kurtit

Paralajmërimi shkarazi i Glauk Konjufcës mbi mendësinë e rrezikshme qeverisëse të Albin Kurtit

Shkruan: Afrim Kasolli

Fjalimi i djeshëm i kryeministrit Kurti para aktivistëve të tij me rastin e prezantimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Mesazhi i këtij fjalimi ishte vazhdim i të njëjtës mendësi që eksponentët e së njëjtës parti kanë filluar ta artikulojnë gjithnjë e më shumë, se u duhet një pushtet edhe më i madh se sa e kanë pasur në mandatin aktual.

Pra tashmë janë në kërkim të 500.000 mijë votave me pretendimin se vetëm në këtë mënyrë mund të çlirohen nga partitë e regjimit të vjetër dhe nga shantazhet e Listës Serbe, për t’i realizuar ndryshimet të cilat i kanë projektuar, por që kanë dështuar për shkak të rolit minues sidomos të parave, duke i dërguar në Gjykatë Kushtetuese shumë ligje. Kurse e dyta me shumë me sabotimin e përpjekjeve për shtrirje të sovranit në veri . Prandaj, si drejtësia e brendshme ashtu edhe ligjshmëria në veri kalon nga dobësimi i kundërshtarëve politikë të partisë në pushtet, duke mos përjashtuat këtu as mediat.

Sidoqoftë, ky fjalim ka dëshmuar një gjë që ka mbetur e pandryshueshme në Lëvizjen Vetëvendosje dhe konkretisht te Albin Kurti, pretendimi se ky entitet dhe ai personalisht është përfaqësuesi i vetëm legjitim politik i popullit të Kosovës dhe atij shqiptar në përgjithësi.

Pra këtë skemë mentale e formon populli, lëvizja dhe lideri. Ky tripartiet ndodhet në një unitet organik. Madje edhe infrastruktura shtetërore, juridike dhe rendi kushtetues që e formon kornizën e asaj që quhen ligje pozitive, janë shndërruar në pengesë për jetësimin autentik të këtij vullneti popullor. Dhe se lëvizja është edhe mbi shtetin e Kosovës. Kurse çdo organizim që nuk është brenda kësaj skeme shpallet si fraksion privat dhe pengese për realizimin e interesit të përgjithshëm. E kjo mendësi daton që nga traditat jakobinste politike, të cilën e ka analizuar mendimtari i njohur gjerman F.Ë.Hegeli në librin “Fenomenologjia e Frymës” në kapitullin kushtuar “Lirisë Absolute dhe Terrorit”.

Në këtë kontekst, çlirimi nga çdo pengesë e jashtme shpallet si qëllim final i aktivitetit politik. Kështu, sot lideri i Vetëvendosjes kërkon pushtet edhe me të madh me shpresën për ta pamundësuar çdo kontroll të mundshëm kushtetues në mandatin e ardhshëm. Edhe pse pas shpalljes së pavarësisë nuk ka pasur Qeveri që ka pasur komoditet më të madh nga mungesa e kontestimit të brendshëm politik. Madje edhe raportet e organizatave që merren me punën e Kuvendit kanë dëshmuar se shumë mungesa te pa arsyeshme kanë pasur paretit opozitare se sa vetë ata të pushtetit.

Pra pasi i ka fituar të gjitha betejat brendshme partiake, sot Albin Kurti kërkon që të njëjtin autoritet ta esktrapolojë dhe në jetën shoqërore. Mbi rrezikun e këtij modeli qeverisës njëherë shkarazi kishte paralajmëruar vartësi i tij Glauk Konfjuca, kur e kishte arsyetuar koalicionin me LDK-në, dhe ndarjen e pozitave shtetërore, ndërmjet Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Konjufca atëbotë pohonte se “Albin Kurti si kryeministër do të ishte mirë të kontrollohej nga Vjosa Osmani si kryeparlamentare. Pra një Vjosa Osmani e cila ulet lart dhe e merr në pyetje Albin Kurtin ia tregon atij kornizat e parlamentarizmit”. Pra ai e ndjente se sa të nevojshme dhe të domosdoshme duhet të jenë kufizimet e jashtme për pushtetin e Albin Kurtit, pas ishte i vetëdijshëm se ato të brendshme nuk ekzistonin. Mirëpo, pas kësaj deklarate ai u akomodua me pushtetin e Albin Kurtit, të cilën sot ky i fundit kërkon ta maksimalizojë në përmasat e një hubrisi pa limit. Madje, ta hynjëzonte si më i miri, më i drejti dhe prijësi më i qëlluar për ta.

Para çdo shoqërie të hapur dhe demokratike, shkruante dikur Karl Popper, shtrohet një pyetje themelore, se si të ndërtojë mekanizma që i kufizojnë pushtetin e liderëve, jo të magjepsen nga retorika e prijësit, heroit, profetit, misionarit etj. Sepse, nëse bien pre e kësaj magjie atëherë atyre mund t’u ndodh sikur se në përshkrimin letrar të Radoje Domanović, në veprën Prijësi (Vođa). Në ese letrare flitet për një popull, që me një lehtësi të padurueshme e lejon vetën të drejtohet nga nja prijës i verbër, i cili në fund i shpie kolektivisht drejt humnerës. Atëherë, ata pak që mbesin, marrin guximin dhe e pyesin drejtuesin, se ku po na dërgon kështu? Ai u kthehet, po unë jam i verbër, po ju ku i patët sytë? /TV Arbëria

Themes by WordPress