Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të mërkurë ka vazhduar gjykimi ku për bixhoz të paligjshëm, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave në shumë rreth 10 milionë euro, po akuzohen 13 persona.
Fillimisht në këtë seancë, u bë bashkimi i procedurës edhe për të akuzuarin, Dodë Ricaj, për të cilin ishte veçuar procedura, por që është i bashkëakuzuar në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po akuzohen Arben Krasniqi, Astrit Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Skender Fetaj, Habil Krasniqi, Nexhat Ejupi, Armend Danqeli, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Ricaj.
Pas dëgjimit të ekspertit të IT-së Nicholas Webber, në seancën e kaluar, mbrojtja e 13 të akuzuarve gjatë deklarimeve të tyre lidhur me ekspertizën në seancën e sotme ka kërkuar që kjo ekspertizë të shpallet si provë e papranueshme, duke kërkuar ekspertizë të re. Pra, ata kanë kërkuar ekzaminimin e të gjithë makinave të lojërave të fatit, mundësisht këtë ta bëjë gjykata përmes rrugëve zyrtare direkt tek prodhuesit e këtyre makinave.
Po ashtu, pas kësaj mbrojtja ka propozuar që të bëhet edhe ekspertizë e re financiare me qëllim të vërtetimit të saktë të qarkullimit në këto makina.
Lidhur me kërkesën e mbrojtjes, është deklaruar prokurori i rastit, Naim Abazi, duke theksuar se edhe eksperti Webber, gjatë rrugës se ekzaminimit të këtyre makinave kishte kërkuar ndihmën e kompanisë prodhuese të këtyre makinave të lojërave të fatit por që sipas tij, prodhuesi kishte refuzuar të përgjigjet me arsyetimin se këto të dhëna janë konfidenciale.
Prokurori Abazi në fund iu drejtua gjykatës me kërkesën që këto propozime të mbrojtjes të refuzohen.
“I kërkoj gjykatës që propozimet e tilla nga ana e mbrojtjes të refuzohen për shkak se nuk kanë arsyeshmeri relevante që të propozohen prova ose ekspertiza të reja lidhur me këtë rast”, tha prokurori Abazi.
Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kushtrim Shyti, njoftoi palët se lidhur me propozimet e mbrojtjes do të vendosë jashtë seancës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi dhe Bylbyl Hebibi po akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”.
Skender Fetaj dhe Habil Krasniqi po akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”, ndërsa, Nexhat Ejupi dhe Kreshnik Myrtollari akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Armend Danqeli po akuzohet nga PSRK-ja për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi”, ndërsa për veprën penale “Shmangie nga tatimi” po akuzohet Dodë Ricaj.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për shmangie nga tatimi kanë qenë edhe Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci të cilët pasi që më 24 maj 2021 e kanë pranuar fajësinë, janë dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.