Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > KPK publikon rezultatet e interevistimit të kandidatëve për Kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe asaj të Apelit

KPK publikon rezultatet e interevistimit të kandidatëve për Kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe asaj të Apelit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Kryeprokurorë në pesë Prokurori Themelore dhe asaj të Apelit.

Paneli Vlerësues i KPK-së, më 13, 16, dhe 17 dhjetor 2024, bazuar në Rregulloren 07/2024 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar intervistat me kandidatët për Kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe asaj të Apelit.

Më 13 dhjetor 2024, janë intervistuar 6 kandidatët që synojnë postin e të parit në Prokurorinë e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më i suksesshmi sipas Panelit Vlerësues ishte prokurori Agron Bajrami me 78.4 pikë, pas tij është vlerësuar prokurorja Sebahate Sinani me 73.8 pikë, pasuar nga Arben Ismajli me 73 pikë, Shkelzen Ibrahimi me 72.4 pikë, të cilët do të shkojnë për votim në Këshill. Ndërsa, nuk kanë kaluar prokurorja Sheribane Selimi, e cila mori 66.8 pikë dhe prokurorja Ikramije Bojaxhiu me 65 pikë.

Sipas njoftimin të KPK-së, Paneli Vlerësues, bazuar në Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, do të njoftojë kandidatët brenda afatit ligjor, si dhe për të drejtën e ankesës.

Më 1 dhjetor 2024, janë intervistuar kandidatët për Kryeprokurorë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.

I vetmi në garë për Prokurorinë Themelore në Gjilan, ishte Kryeprokurori aktual Arben Kadriu, i cili nga Paneli Vlerësues u poentua me 93.6 pikë.

Në garë për Prokurorinë Themelore të Ferizajt ishin prokurori special Burim Çerkini dhe prokurori Ismet Rrahmani. Çerkini u vlerësua me 93.4 pikë, ndërsa Rrahmani më 76 pikë. Të dy do të shkojnë në Këshill për votim.

Për të parin e Prokurorisë në Mitrovicë, në fazën e intervistimit ishin prokurorët Shpëtim Peci dhe Zef Prendrecaj. Mirëpo, Paneli Vlerësues nuk ua dha pikët e duhura për të shkuar në votim asnjërit prej tyre. Prokurori Peci u vlerësua më 68.8 pikë, ndërsa prokurori Prendrecaj me 63.6 pikë.

Më 17 dhjetor 2024, u intervistuan kandidatët për Kryeprokuror të Pejës dhe Prizrenit.

Për Prokurorinë e Pejës në garë ishin prokurori Ersan Qavolli, Lumturije Vuçetaj dhe Sanije Gashi-Seferi. Qavolli u vlerësua me më së shumti pikë pra 91.8, Lumturije Vuçetaj me 88 pikë dhe Sanije Gashi-Seferi me 71 pikë.

Kështu, të tre kandidatët do të shkojnë në votim në Këshillin Prokurorial.

Në anën tjetër, kandidati i vetëm për Prokurorinë Themelore të Prizrenit, prokurori Petrit Kryeziu, nga Paneli u vlerësua me 97.6 pikë. Ky është poentomi më i lartë që i është dhënë një kandidati në këtë cikël intervistimesh për pesë Prokuroritë Themelore dhe atë të Apelit.