Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ish-kryetari i Apelit: Prokurorët s’duhet të shkojnë te Kurti, ai mund të gjobitet apo të sillet me forcë nëse refuzon ftesën për të dëshmuar

Ish-kryetari i Apelit: Prokurorët s’duhet të shkojnë te Kurti, ai mund të gjobitet apo të sillet me forcë nëse refuzon ftesën për të dëshmuar

Hasan Shala, ish kryetar i Gjykatës së Apelit, tha në Frontal në T7 se cilido prokuror që do të shkonte në zyrën e kryeministrit Albin Kurti për t’ia marrë atij dëshminë e kërkuar, do ta shkelte kodin e procedurës penale.

Ai tha se “kryeministri duhet të jetë shembull” dhe të paraqitet para organit të akuzës dhe t’i përgjigjet në mënyrë korrekte ftesës së Prokurorisë Speciale.

Sot, Shala tha se Kurti “e ka arsyetuar mungesën”, por tha se kërkesa e tij që prokurorët t’i presë në zyrë në një datë tjetër, është e paarsyeshme.

Ai tha se neni 129, paragrafi 5 i kodit të procedurës penale e përcakton këtë.

“Kërkesa e tij që të shkojnë prokurorët dhe ta marrin dëshminë e tij në zyrë, unë konsideroj që është kundër kodit të procedurës penale për shkak se janë të përcaktuar saktë rastet se kur mund të shkojë prokurori apo gjyqtari ta marrë dëshminë”, tha ai, duke theksuar se prokurorët duhet të shkojnë t’ia marrin dëshminë një dëshmitari vetëm në rast se ai është në moshë të thyer dhe s’mund të vijë, apo kur dëshmitari është i sëmurë.

Shala, tash avokat, tha se kodi i procedurës penale parasheh masa diciplinore si gjobë, në rast se ai nuk do ta arsyetonte mungesën. Ai tha se kryeministri mund të sillet me forcë në Prokurori në rast se ai refuzon thirrjen.

Ai tha se Kurti “duhet ta japë kontributin e vet për zbardhjen e çështjes”.

Kurti nuk u paraqit sot për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale, ndërsa Qeveria tha se prokurorët e rastit janë njoftuar se kryeministri ndodhet jashtë vendit, sipas një agjende të paracaktuar. Nga zyra e Kurtit thanë se ai “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.