Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mbahet Akademia Rajonale për Punë të Denjë në Ballkanin Perëndimor, Instituti “Musine Kokalari”: Bashkëpunimi rajonal, parakusht për avancimin e të drejtave të punës

Mbahet Akademia Rajonale për Punë të Denjë në Ballkanin Perëndimor, Instituti “Musine Kokalari”: Bashkëpunimi rajonal, parakusht për avancimin e të drejtave të punës

Puna e kujdesit të papaguar, barazia gjinore në tregun e punës, paga e jetesës si një mjet për drejtësi sociale, integrimi i të drejtave sociale dhe të punës në Agjendën e Gjelbër, implikimet e Direktivës së BE-së për të drejtat e punës në Ballkanin Perëndimor, ishin disa nga temat që u trajtuan në Akademinë Rajonale për Punë të Denjë në Ballkanin Perëndimor 2024 e cila u mbajt në Igalo të Malit të Zi.

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, që e organizoi këtë akademi, tha se ajo “shërben si një platformë thelbësore për shkëmbimin e ideve, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe strategjinë për integrimin e të drejtave të punës në politikat më të gjera sociale dhe ekonomike”. Në organizim ishin edhe Qendra për Politikat e Emancipimit nga Serbia, Shoqata për Siguri në Punë nga Mali i Zi dhe ZORA – Shoqata për zhvillim social, kulturor dhe kreativ nga Bosnjë e Hercegovina.

“Bashkëpunimi rajonal ndërmjet sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile, fushatat, grevat dhe strategjitë e negociatave për mbrojtjen e punës është parakusht për avancimin e të drejtave të punës përmes veprimit kolektiv dhe avokimit, ka nënvizuar Koalicioni Rajonal për Punë të Denjë që përfshinë 45 organizata nga rajoni i Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Mbi 60 përfaqësues të sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile që ishin pjesmarrës, “riafirmuan përkushtimin për avancimin e të drejtave të punës përmes veprimit kolektiv dhe avokimit”, sipas institutit “Musine Kokalari”.