Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen publike për propozime për Çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe për çmimet vjetore për letërsi. Afati i fundit është 13 janari i vitit që vjen.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, Shtëpitë botuese të Kosovës, redaksitë e gazetave dhe revistave letrare-kulturore të Kosovës, asociacionet e shkrimtarëve që veprojnë brenda territorit të Kosovës, organizatat joqeveritare që merren me veprimtari kulturore në Kosovë, personalitetet me reputacion publik dhe autorët e veprave letrare, janë ato që kanë të drejtë nominimi.
“Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bën juria profesionale e përbërë nga 5 anëtarë. Propozimi me shkrim është i plotë dhe shqyrtohet vetëm nëse plotësohen këto kritere: a) Propozimi duhet të shoqërohet me arsyetimin ku paraqiten arritjet dhe meritat e veçanta, bashkë me CV-në krijuese të personit të propozuar. b) Propozimi duhet të firmoset nga subjekti që ka të drejtën e propozimit. c) Për çmimet vjetore të propozuara duhet të dorëzohen 6 ekzemplarë të librit konkurrues. (ç) Propozimet pa dokumentacion të kompletuar nuk do të shqyrtohen”, shkruhet në shpalljen publike.
Vitin e kaluar, studiuesi i letërsisë, shkrimtari, përkthyesi e mësimdhënësi universitar edhe në Universitetin e Kalabrisë, Anton Nikë Berisha, ishte shpallur laureat i Çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”. Ishte vlerësuar për studimet letrare në veçanti të autorëve arbëreshë, por edhe të autorëve të tjerë shqiptarë. Ministria e Kulturës kishte ndarë edhe çmimet e tjera tradicionale, pos atij për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”. Çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” e kishte marrë Afrim Demiri për përmbledhjen me tregime “Figura e 17-të”.
Çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” e kishte marrë Halil Matoshi për përmbledhjen me poezi “Lil’s poem”, e atë për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e kishin marrë Kujtim Shala për veprën “Kënga e cjapit” dhe Nysret Krasniqi për veprën “Ekuilibri letrar”.
Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” e kishte marrë Blertë Ismajli për përkthimin e veprës së Jurgen Habermasit – “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”. Ai për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” nuk kishte fitues. Juria kishte bërë të ditur se ka vendosur të mos e ndajë “për shkak të prurjeve të varfra”.
Laureati i sivjetmë, Anton Nikë Berisha, kishte propozuar që të themelohet edhe një tjetër çmim për përkthimin e veprave nga shqip në gjuhët e huaja.
Pos çmimit kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, që ka vlerën financiare 5 mijë euro, çmimet e tjera kanë vlerën monetare prej 2.500 eurosh. Tradicionalisht MKRS-ja këto çmime i ka ndarë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. /koha.net