Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Berisha: Aksidenti në Grabovicë, të bëhet hetim i plotë dhe përgjegjësi!

Berisha: Aksidenti në Grabovicë, të bëhet hetim i plotë dhe përgjegjësi!

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se duhet të bëhet hetim i plotë për aksidentin në Grabovicë të Zveçanit ku një automobilë e Policisë doli nga rruga.

Berisha tha se “Ngjarje të tilla janë tejet shqetësuese dhe ngrejnë një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje të menjëhershme dhe një hetim të plotë për rrethanat e aksidentit”.

Reagimi i plotë:

Lajmi i aksidentimit të tetë pjesëtarëve të Njësive Operative të Policisë së Kosovës na ka tronditur dhe kem ndjerë keqardhje të thellë.

Shpreh solidaritetin tim të plotë me policët e lënduar dhe uroj që ata të shërohen sa më shpejt dhe të tejkalojnë dëmet shëndetësore që kanë pësuar në këtë aksident.

Sipas mediave dhe informatave informale, aksidenti ndodhi në Grabovicë të Zveçanit, kur një autoblindë e policisë doli nga rruga, duke shkaktuar lëndime tek policët që ndodheshin brenda. Ngjarje të tilla janë tejet shqetësuese dhe ngrejnë një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje të menjëhershme dhe një hetim të plotë për rrethanat e aksidentit.

Mund të jenë arsye të ndryshme rrethanore, por duht bërë e qarrtë me sistem eliminator se:

A ishin gomat e autoblindës të papërshtatshme?

A ishte mirëmbajtja e dobët e këtyre mjeteve një pasojë e kushteve të vështira dhe neglizhencës ndaj Policisë së Kosovës?

Apo mos ishte mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve nga institucionet përkatëse shkaktari kryesor?

Një tjetër aspekt shqetësues është nëse në rrugë kishte derdhje vajrash motorikë, që mund të nënkuptojë një akt të qëllimshëm kundër Policisë. Nëse kjo vërtetohet, kemi të bëjmë me një kërcënim serioz ndaj sigurisë së vendit dhe ndaj zbatuesve të ligjit.

Policia e Kosovës përballet çdo ditë me sfida të mëdha në terren, shpesh pa pajisje adekuate dhe mbështetje të mjaftueshme nga institucionet qeveritare.

Nëse ky aksident ka ndodhur për shkak të gjendjes teknike të mjeteve, atëherë faji bie drejtpërdrejt mbi qeverinë aktuale, e cila ka dështuar të sigurojë kushte të dinjitetshme për zbatuesit e ligjit.

Nëse mosmirëmbajtja e rrugëve ka qenë faktor përcaktues, atëherë përgjegjësia politike dhe institucionale është e qartë.

Në këtë situatë, si anëtar i Komisionit për Mbrojtje e Siguri në Kuvendin e Kosovës kërkoj:

-Një hetim të detajuar dhe transparent për të përcaktuar shkaktarin e saktë të aksidentit.

-Përmirësim urgjent të kushteve teknike dhe infrastrukturore për Policinë e Kosovës, duke përfshirë mirëmbajtjen e mjeteve dhe sigurinë në rrugë.

-Monitorim më të rreptë të rrugëve për të parandaluar akte të mundshme të qëllimshme që rrezikojnë jetën e policëve.

Policia e Kosovës është shtylla e sigurisë dhe rendit në vendin tonë. Keqardhja dhe zemërimi për këtë ngjarje duhet të kthehen në veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse, që të garantohet siguria dhe dinjiteti i çdo zyrtari policor. Urojmë që policët e lënduar të shërohen shpejt dhe të kthehen në krye të detyrës së tyre fisnike.

Themes by WordPress