Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë në Washington D.C. për takime në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve. Osmani që nga dita e djeshme ka zhvilluar një sërë takimesh me kongresmenë e senatorë të ndryshëm.
Në këto takime, Osmani ka thënë se në fokus të diskutimeve kanë qenë sfidat e sigurisë dhe rëndësia e bashkëpunimit drejt ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë.
Po ashtu në fokus të takimeve ka qenë edhe rëndësia e mbështetjes amerikane në shumë sektorë të vendit. E para e shtetit ka thënë se Kosova dhe SHBA-të, kanë hapësirë e mundësi të shumta për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, andaj kjo edhe është një nga objektivat kryesor në rrugëtimin përpara.
E para e vendit, duke filluar nga dje është takuar me Senatoren republikane Joni Ernst, por edhe me disa kongresistë republikan, si Pete Sessions e Gary Palmer.
Përmes një postimi në Facebook, presidentja tha se me Ernst-in kanë diskutuar rëndësinë strategjike të koordinimit me qëllim të mbrojtjes e avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.
“Siguria e paqja e qëndrueshme i shërbejnë edhe bashkëpunimit të shtuar ekonomik, si dhe atij në fusha të tjera të interesit të ndërsjellë, andaj mbetemi të përkushtuar për koordinim e komunikim të ngushtë në këtë drejtim”, shtoi Osmani.