Prokuroria Speciale e ka ftuar për intervistim Kryeministrin Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit. Në thirrjen e Prokurorisë figuron se ai duhet të paraqitet për intervistim më 16 dhjetor.
Vepra penale për të cilën është ftuar të dëshmojë Kurti hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Nenin 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, analisti politik Visa Xani për TV Arbëria tha se kjo çështje duhet të hetohet thellësisht për të zbardhur këtë proces të ndjeshëm.
Po ashtu, Xani tha se pushteti duhet të tregohet bashkëpunues duke provuar që mos të përdoret për efekte elektorale nga asnjë palë.
“Besoj që kjo çështje duhet të hetohet thellësisht për të zbardhur këtë proces të ndjeshëm. Dua të besoj në një drejtësi ideale dhe poashtu, pushteti të tregohet bashkëpunues duke provuar që mos të përdoret për efekte elektorale nga asnjë palë“, potencoi analisti politik.
Tutje, ai deklaroi se drejtësia ka rrugë të ndara dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit.
“Drejtësia ka rrugë të ndara dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit“, përfundoi Xani për TV Arbëria.
Thirrjen e ka publikuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.
Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu.