Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vepra për të cilën Prokuroria Speciale ftoi Kurtin për intervistim hyn te kapitulli i korrupsionit

Vepra për të cilën Prokuroria Speciale ftoi Kurtin për intervistim hyn te kapitulli i korrupsionit

Prokuroria Speciale e ka ftuar për intervistim Kryeministrin Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit. Në thirrjen e Prokurorisë figuron se ai duhet të paraqitet për intervistim më 16 dhjetor.

Vepra penale për të cilën është ftuar të dëshmojë Kurti hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Nenin 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”, parashihet në këtë nen.

Thirrjen e ka publikuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.

Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu.