Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Gjyqtari i graduar nga pushteti, Faton Bajrami vendos në favor të interesave qeveritare

Gjyqtari i graduar nga pushteti, Faton Bajrami vendos në favor të interesave qeveritare

Faton Bajrami, një gjyqtar i Gjykatës Komerciale i avancuar nga pushteti, dyshohet se është përfshirë në nxjerrjen e aktvendimeve në favor të interesave qeveritare. Bajrami, dyshohet se është gjyqtari kyç që është duke i shtyrë interesat e qeverisë brenda Komerciales.

Gjyqtari i Dhomës së shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, Faton Bajrami dhe aktvendimet e nxjerra prej tij, paraqesin ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të pushtetit në sistemin e drejtësisë.

Faton Bajrami, që nga maji i vitit 2022 shërben si gjyqtar në Gjykatën Komerciale, në të cilën pushteti aktual ka qenë dhe vazhdon të jetë palë në disa konteste gjyqësore.

Bëhet fjalë për rastet e “Rrugës A” dhe “Dardafon”.

Në të dyja lëndët pushteti ishte palë interesi. Projektin e “Rrugës A” e kishte kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, ndërkaq kontestin mes “Dardafon” dhe Telekomi, pushteti është rreshtuar përkrah ndërmarrjes publike.

Gjyqtari Bajrami, dy herë e ktheu në rivendosje lëndën e “Rrugës A” duke i rrëzuar aktvendimet e Dhomës së shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, të cilat nuk konstatuan shkelje në vendimin e OSHP-së për tenderin e Rrugës A.

Madje, gjyqtari Bajrami urdhëroi përjashtimin nga rasti të gjyqtarit Arnis Dumani.

Në vend të Dumanit, për trajtimin e lëndës në Dhomën së shkallës së parë u caktua gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Edhe ajo vendosi në favor të interesave qeveritare. Në favor të kompanisë ankuese kundër tenderit të Rrugës A.

Përfundimisht, Komercialja i hapi rrugë punimeve të Rrugës A në fund të vitit të kaluar. Më 29 dhjetor, shkalla e dytë i aprovoi si të bazuara ankesat e OSHP-së dhe vendosi që të rinisin punimet e rrugës. Vendimi u mor nga një kolegj i kryesuar nga gjykatësi Dren Rogova.

Lënda e Rrugës A nuk është e vetmja në të cilën gjyqtari Faton Bajrami vendosi në favor të interesave qeveritare.

Ai, edhe njëherë tjetër mori anë krah pushtetit në kontestin mes “Dardafon” dhe Telekomit të Kosovës.

Fillimisht, Bajrami vendosi që ta kthejë në rivendosje këtë rast. Rasti u prolongua për disa vite, pasi ai e ktheu lëndën tri herë në rivendosje.

Edhe në këtë rast, Faton Bajrami kërkoi që të ndërrohej gjyqytari Alajdin Tërshnjaku, i cili kishte vendosur kundër interesave qeveritare, pra kundër Telekomit, në një aktvendim të Dhomës së shkallës së parë të Komerciales në korrik 2023.

Madje përjashtimi i gjyqytarit Alajdin Tërshnjaku ishte përmbushje e kërkesës së Telekomit, e cila kërkoi që Tërshnjaku të përjashtohej nga lënda. Veprime të tilla janë shumë të rralla në Gjykatën Komerciale.

Aktvendimet pro pushtetit iu shpërblyen me favore gjyqtarit Bajrami.

Ai në dhejtor të vitit 2023, me vendim të kryeministrit Albin Kurti, u zgjodh anëtar i Komisionit për Dhënien e Provumit të Jurisprudencës. Bajrami ishte vendosur në pozitën e zëvendëskryetarit të këtij komisioni.

Faton Bajrami është vëllai i Agron Bajramit, prokurorit të Prokurorisë Speciale. Reja e tij, Flutura Gogaj (bashkëshortja e prokurorit Agron Bajrami, v.j) është po ashtu një e avancuar në detyrë nga Ministria e Drejtësisë.

Në shtator të vitit 2021, kur pushteti e shkarkoi nga detyra drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në vendin e tij e emëroi Flutura Gogajn. Në kohën e saj u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. Një komision disiplinor e suspendoi atë dhe katër punonjës të tjerë të IML-së për përgjegjësi në zhdukjen e mostrave, por në janar të vitit të kaluar të njëjtit u kthyen sërish në punë.

Flutura Goga Bajrami ishte përmendur edhe në një letër të Sindikatës së Punëtorëve të IML-së, të cilën ia kishin adresuar ministres Albulena Haxhiu kohë më parë.

“Gjithashtu e emëruara nga ana juaj si zëvendës e Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së, znj. Flutura Goga-Bajrami e cila fillimisht është punësuar si teknik i laboratorit, pastaj pa përvojë menaxhuese dhe me pa asnjë rezultat në punë, me më pak se një vitë përvojë pune në IML nga teknik e laboratorit emërohet në Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, një pozitë joegzistuese në IML e mundësuar nga abuzimi dhe detyra zyrtare nga zyrtarët e MD”, thuhet në letër.

Derisa lënda e “Rrugës A” ka marrë epilog final, procedura përmbarimore për kontestin “Dardafon” – Telekomi, është ende në shqyrtim në shkallën e parë të Komerciales. /Paparaci.com/