Për shkak të mungesës së të akuzurave, Arbër Kaqorraj dhe Premton Ibërdemaj, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtit bashkë me Ylli Hoxhën, Urim Hasanin dhe Armend Loshajn, si aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ngarkohen lidhur me veprimet në protestën e vitit 2015.
Në këtë rast, Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Urim Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se në tetor të vitit 2015, gjatë një proteste, u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me mungesën e Kaqorrajt, avokati i tij Gazmend Lokaj tha se dje ishte njoftuar nga i mbrojturi i tij se ka udhëtuar në Zvicër.
“Arbëri ka udhëtuar për në Zvicër urgjentisht”, tha avokati Lokaj, duke shtuar se i akuzuari kishte një çështje personale.
Ndërsa, lidhur me mungësen e Premton Ibërdemajt, gjyqtari i rastit Eroll Gashi u njoftua nga i pandehuri Yll Hoxha, se i njëjti është rrugës për të ardhur në seancë.
Po ashtu, në këtë senacë nuk prezatoj edhe mbrojtësja e Ibërdemajt, avokatja Besjana Ismajli, e cila kishte njoftuar Gjykatën se kishte pësuar aksident dhe është drejtuar për në Emergjencë.
Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.
Edhe seanca e 13 nëntorit 2024, kishte dështuar për shkak të mungesës së dëshmitarëve.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.