Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Jakaj: Kuvendi ndërhyri në drejtësi, shumica parlamentare abuzoi me të drejtën që ia jep fuqia politike e dalë nga zgjedhjet

Jakaj: Kuvendi ndërhyri në drejtësi, shumica parlamentare abuzoi me të drejtën që ia jep fuqia politike e dalë nga zgjedhjet

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit me titull “Mos efikasiteti i hetimit parlamentar”- (Mungesë e vullnetit dhe problemet ligjore), tha se në disa raste Kuvendi i Kosovës ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, kjo u bë në tentativën për themelimin e komisionit hetimor për mashtrimet me listat e veteranëve të UÇK-së apo edhe themelimin e një komisioni kundërkushteues për dhunën seksuale dhe atë në familje.

“Përkundër gjetjeve dhe raportit të miratuar nga Kuvendi për çështjen e gylenistëve, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë arritur të adresojnë problemet dhe të miratojnë Ligjin për të Huaj për më shumë se pesë vite. Në raste të tjera, Kuvendi ka ndërhyrë në mënyrë të diskutueshme në sistemin e drejtësisë, si në tentativën për themelimin e komisionit hetimor për mashtrimet me listat e veteranëve të UÇK-së apo në themelimin e një komisioni kundërkushtetues për dhunën seksuale dhe në familje”, tha Jakaj.

Hulumtuesi i IKD-së gjithashtu tha se shumica parlamentare ka abuzuar më të drejtën e tyre që ia jep fuqia politike e dalë nga zgjedhjet.

“Në disa raste, shumica parlamentare abuzoi me të drejtën që ia jep fuqia politike e dalë nga zgjedhjet. Ligji për hetim parlamentar, ka precizuar në mënyrë të qartë dhe të saktë se çfarë çështjesh mund të propozohen për t’u hetuar. Në shumicën e rasteve, çështjet që janë propozuar kanë qenë çështje në pajtim me kërkesat e ligjit për hetim parlamentar. Por, në mënyrë të hapur një dispozitë e tillë është shkelur nga shumica parlamentare në Legjislaturën e IV-të dhe të VIII-të. Refuzimi për të themeluar komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së, komisionin hetimor për energjinë elektrike, për hetimin në lidhje me rezervat shtetërore, për hetimin e kontratave njëburimore, përbën situatë kur shumica parlamentare abuzon me të drejtën e saj dhe refuzimin e saj për të hetuar çështje të caktuara”, tha Jakaj.

Në anën tjetër, Jakaj përmendi mungesën e transmetimeve live nga Kuvendi, pastaj dështimin për të publikuar dokumentet zyrtare dhe mungesën e të dhënave në faqe e Kuvendit, si probleme kryesore që kanë ndikuar negativisht në funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, duke minuar seriozitetin dhe qëllimin e tyre.