Më 17 dhjetor dy kryenegociatorët për dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të takohen në Bruksel, me ndërmjetësim të Miroslav Lajçak nga Bashkimi Evropian , shkruan TV Arbëria.
Ky takim mes kryenegociatorëve është i pari pas sulmit të kanalit të ujit në Ibër-Lepenc, duke theksuar edhe fotografinë e përbashkët të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në takimin e shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e vendeve të Ballkanit. Kjo foto në të cilën bënin pjesë edhe dy përfaqësuesit e dy vendeve, ai i Kosovës dhe Serbisë, mori vëmendje të madhe pasi ndodhi menjëherë pas këtij sulmi në Ibër-Lepenc.
Çfarë pritet nga takimi i 17 dhjetorit në Bruksel?
Lidhur me këtë temë në një prononcim për TV Arbëria ka folur, deputeti i Vetëvendosjes dhe anëtari i komisionit për Integrim Evropian, Agon Batusha, i cili thotë se takimi do të jetë informues dhe rikapitullues i asaj që ka ndodhur deri më sot, si dhe thekson se nuk pret ndonjë perparim sepse sipas tij me qasjen e Serbisë nuk mund të ketë progres në këtë proces.
“Takimi pritet te jete informues dhe rikapitullues i asaj cka eshte bere deri sot. Duke pas parasysh qe dialogu eshte disbalancuar nga ndermjetuesi ne njeren ane, e ne anen tjeter Serbia ka sponzorizuar terrorizmin ne kundershtim me frymen dhe germen e marreveshjeve, nuk pres ndonje perparim substancial sepse me nje qasje te tille te fqinjit verior nuk mund te ecet perpara”, ka thënë Batusha
Tutje deputeti i VV-së thotë se, që të ketë sukses dialogu duhet të hiqen masat ndaj Kosovës, të dorëzohet Milan Radoiçiq, si dhe të garantohet procesi dhe balanci.
“Duhet te hiqen masat, te dorezohet Radoicici dhe grupi i tij, te rigarantohet procesi dhe balanci, qe te themi qe dialogu ka nje shance per sukses”, ka thënë deputeti i VV-së për TV Arbëria.