Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të martën se ka transferuar pjesën prej 20 miliardë dollarësh të një kredie prej 50 miliardë dollarësh të G7ës për Ukrainën, tek një fond i ndërmjetëm i Bankës Botërore për ndihmën ekonomike dhe financiare për vendin e shkatërruar nga lufta.
Departamenti i Thesarit tha se disbursimi përmbush zotimin e ndërmarrë në tetor për të dyfishuar angazhimin e Bashkimit Evropian për të ofruar 20 miliardë dollarë ndihmë, të siguruar nga llogaritë e ngrira ruse. Për këtë ndihmë po kontribuohet me kredi më të vogla edhe nga Britania, Kanadaja dhe Japonia.
Lëvrimi përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në janar ka për qëllim mbrojtjen e këtyre fondeve nga një rikthim i mundshëm nga administrata e re. Presidenti i zgjedhur Trump është ankuar se Shtetet e Bashkuara po i japin ndihmë të tepruar Ukrainës dhe ka thënë se do t’i japë fund luftës me shpejtësi, pa specifikuar se si.
Kredia prej 50 miliardë dollarësh për 30 vite, do të mundësohet me të ardhurat e interesit nga rreth 300 miliardë dollarë në llogari ruse, që qëndrojnë të ngrira që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022. Vendet demokratike të G7ës e patën diskutuar këtë plan për muaj të tërë dhe ranë dakord për kushtet në tetor, përpara zgjedhjes së zotit Trump.
Nga takimi në Itali i ministrave të jashtëm të vendeve të G7-ës (26 nëntor 2024)
Administrata e Presidentit Joe Biden fillimisht kërkoi të ndajë përgjysmë kredinë prej 20 miliardë dollarësh, me 10 miliardë dollarë për t’u përdorur për ndihmë ushtarake dhe 10 miliardë dollarë për ndihmë ekonomike, por për pjesën ushtarake do të duhej miratimi nga Kongresi, një proces i bërë më i vështirë nga fitorja e gjerë e republikanëve në zgjedhje. Me transfertën e së martës, shuma e plotë do t’i kushtohet qëllimeve jo ushtarake.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se shuma u transferua në një fond të ri të Bankës Botërore, “FORTIS Ukraine FIF”. Bordi drejtues e miratoi krijimin e fondit në tetor, me vetëm një vend që kundërshtoi, Rusia.
Banka Botërore, statuti i së cilës e pengon atë të merret me ndihma ushtarake, pati menaxhuar një fond të ngjashëm të ndërmjetëm humanitar dhe ekonomik për Afganistanin.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, mbikëqyri personalisht punonjësit që realizuan transfertën bankare të 20 miliardë dollarëve në fondin e Bankës Botërore, tha një zyrtar i departamentit.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen
“Këto fonde – të paguara nga të ardhurat nga llogaritë e ngrira të Rusisë – do t’i japin Ukrainës një impuls jetik mbështetjeje, ndërsa mbrohet nga një luftë e paprovokuar agresioni”, tha sekretarja Yellen në një deklaratë.
“50 miliardë dollarët që jepen kolektivisht nga G7 nëpërmjet kësaj nisme, do të ndihmojnë që Ukraina të ketë burimet që i nevojiten për të mbështetur shërbimet e urgjencës, spitalet dhe themelet e tjera të rezistencës së saj të guximshme”, shtoi ajo.
Fuqizimi i dollarit amerikan, që nga fitorja e zgjedhjeve të 5 nëntorit nga Presidenti i zgjedhur Trump, e ka ulur paksa kredinë e përllogaritur në dollarë. Sipas një pasqyre të kredisë së G7ës, BE-ja do të sigurojë 19.1 miliardë dollarë, Kanadaja 3.52 miliardë dollarë, Britania 2.88 miliardë dollarë dhe Japonia 3.11 miliardë dollarë. /VOA