Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vuçiq shkon në Gjermani – takohet me Scholz, flasin për litiumin

Vuçiq shkon në Gjermani – takohet me Scholz, flasin për litiumin

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, po qëndron në Freiberg, Gjermani në një vizitë zyrtare, ku ka biseduar me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Temë e bisedave mësohet të ketë qenë çështja e litiumit, material të cilin Serbia e posedon në sasi të mëdha.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në Instagram, Vuçiqi tha se Scholzin kanë diskutuar për mundësitë e përdorimit të teknologjive të avancuara dhe ekspertizës gjermane në miniera dhe shprehu besimin se përmes bashkëpunimit me Gjermaninë, e cila tha se është lider në aplikimin e inovacioneve dhe zgjidhjeve ekologjike në industrinë minerare, “do të përmirësojmë kapacitetet tona dhe vendosim bazat për qëndrueshmërinë afatgjatë në këtë sektor”.

“Pres që bashkëpunimi ynë të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e industrisë minerare, por edhe në arritjen e qëllimeve të përbashkëta në fushën e tranzicionit energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit. Themelet e hedhura sot do të jenë vendimtare për zhvillimin e ardhshëm të vendeve tona në këtë sektor”, deklaroi Vuçiqi

Tutje, presidenti serb foli edhe për projektin “Zinnwald Lithium GmbH”, i cili tha se është gjithashtu shumë i dobishëm për vendin e tij.

“Ky projekt, i vendosur në zemër të Saksonisë, është një shembull se si teknologjitë inovative dhe strategjitë e planifikuara me kujdes mund të ofrojnë burime për tranzicionin e energjisë, duke respektuar standardet më strikte mjedisore. Vizita në Freiberg solli njohuri të vlefshme për mundësitë që shtrihen në punën e përbashkët në projekte të përgjegjshme dhe të qëndrueshme ndaj mjedisit, të cilat do të kontribuojnë në përparimin teknologjik të Serbisë dhe forcimin e bashkëpunimit midis vendit tonë dhe Gjermanisë”, u shpreh Vuçiqi gjatë vizitës në Muzeun e Qytetit dhe Minierave në Freiberg.

Në korrik të këtij viti, kancelari gjerman, Olaf Scholz qëndroi në Beograd ku tha se projekti “Jadar”, i cili parasheh krijimin e një miniere litiumi në pjesën perëndimore të Serbisë, është gjë e mirë për këtë vend.