Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mbi 81 mijë euro dëm, Prokuroria e Prizrenit tregon detaje nga arrestimi i 32 vjeçarit për fajde

Mbi 81 mijë euro dëm, Prokuroria e Prizrenit tregon detaje nga arrestimi i 32 vjeçarit për fajde

Prokuroria Themelore në Prizren, ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e një 32 vjeçari nga Prizreni, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Fajdeja”.

“I pandehuri i arrestuar, nga muaji shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, deri në datën e arrestimit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të dëmtuar, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari – viktima, A.Z., nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000.00 €, të cilin borxh i detyrohej të pandehurit F.Sh., pasi që ky i fundit gjatë muajit janar të vitit 2024, përmes një programi elektronik të lojërave të fatit, i kishte mundësuar të dëmtuarit të luaj bixhoz të paligjshëm, ashtu që në momentin kur viktima kishte hasur në vështirësi që t’ia paguajë borxhin, i pandehuri arrin ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njëjtit për kthimin e borxhit”, thuhet në njoftim.

Prokuroria thekson se në këtë rast i pandehuri i arrestuar, i ofron viktimës para me fajde – me kamata të paligjshme fillimisht prej 15% pastaj 20% e deri në 25%, kështu duke i shkaktuar viktimës dëm të konsiderueshëm pasuror, i cili nuk kishte arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës, gjegjësisht totalin e kamatës nga të gjitha huazimet e të hollave me fajde, që nga periudha e muajit shtator të vitit 2023, e cila kap vlerën e përgjithshme prej 81,400.00 €.

“I pandehuri është arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës duke pranuar të holla nga viktima në emër të kamatave të paligjshme me të cilat e kishte ngarkuar të njëjtin. I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtin, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet tutje në njoftim.