Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berat Lahu, ka reaguar ashpër ndaj një komunikate të lëshuar nga Qendra e LVV-së në kryeqytet, duke e cilësuar atë si të pabazë dhe shpifje.
Lahu ka deklaruar se nuk ka implikuar kryeministrin Albin Kurti në asnjë çështje, por ka kritikuar abuzimin me emrin e Kurtit në raste të ndryshme, përfshirë atë të këmbimit të pronave në Badoc.
“Unë në asnjë moment nuk e kam implikuar në asgjë Kryeministrin Kurti, por vetëm kam shprehur mllefin që shumë herë është abuzuar me emrin e tij e të kryesisë qendrore, ashtu si në rastin e turpshëm të këmbimit të pronave në Badoc”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu i ka mohuar akuzat për përfshirje në “pazare me oligarkët” apo për kontrabandim të buxhetit, duke theksuar se “ka kundërshtuar interesat e Devollëve në shumë raste”.
“Për votimin e Buxhetit, tashmë kryesia e qendrës dhe vet Gëzim Sveçla kanë marrë vendim që të votohet në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme, ndërsa për zgjerimin e kufirit të zonës ekonomike propozimi ka ardhur gjatë seancës, gjë të cilën në asnjë situatë nuk do ta përkrahja”, ka shkruar tutje Lahu.
“Qendra e Prishtinës duhet të merret me ata që provokojnë dhe spekulojnë, jo të bëjë akuza të pabaza ndaj meje,” ka shkruar Lahu në Facebook, duke kërkuar ndërhyrjen e strukturave të partisë për të adresuar situatën.
“Qendra e Prishtinës në vend se të bëjë akuza të pabaza kundër meje do të duhej të merrej me Egzon Azemin, i cili në seancën e djeshme duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar. Njësoj është dashur të merren masa edhe ndaj Gëzim Sveçlës, që në rastin e Badocit, duke spekuluar në emër të kryesisë qëndrore mundësoi kuorumin për miratimin e vendimit të shkëmbimit të pronave në Badoc.
Unë besoj në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe në Kryeministrin Kurti, andaj edhe ju bëjë thirrje strukturave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që t’i trajtojnë këto shpifje të pabaza dhe të merren masat përkatëse”, ka shkruar ai në Facebook.