Në rigjykimin ndaj Leotrim Selimit dhe Bejtë Hasanit, të akuzuar për rastin e vrasjes së M.K., në shkurt të 2021-ës në Mitrovicë, të hënën në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua kirurgu Fatbardh Rexha, i cili tha se predhën ia kishin dhënë tani të dëmtuarit Florim Sadiku pasi ia kishin nxjerrë nga trupi, ndërsa rastin nuk e kishin lajmëruar te organet përgjegjëse.
Në këtë rast, Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Fatos Sejdijaj njoftoi se në seancën e sotme gjyqësore, kirurgu Rexha nga poliklinika “Jeta” është thirrë për të sqaruar lidhur me intervenimin kirurgjik të bërë për të dëmtuarin Sadiku.
Kirurgu Rexha në cilësinë e dëshmitarit tha se trupi i huaj, i larguar nga trupi i pacientit – tani të dëmtuarit Sadiku, ka qenë në përbërje të metalit, dhe se përshtypja e parë e tij ka qenë se është predhë.
I pyetur nëse i është bërë ndonjë fotografi metalit-predhës së nxjerrë nga trupi i tani të dëmtuarit, dëshmitari tha se nuk bëjnë fotografi pasi primare ka qenë intervenimi i pacientit.
Dëshmitari tha se për shkak të procesit qelbësues, është vendosur që të bëhet heqja e qelbit, e cila procedurë paraprakisht nuk kërkon imazhe radiologjike dhe si e tillë është bërë ndërhyrja.
Ndërsa, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Mehmeti e ka pyetur dëshmitarin se për çfarë arsye kishte shkuar pacienti në klinikë, pasi në raportin mjekësor konstatohet heqja e trupit të huaj, ndërsa sot gjatë deklarimit u tha se ai kishte shkuar për shkak të dhimbjeve.
E Rexha tha se ankesat kanë qenë për dhimbje nga procesi qelbësor, por pastaj mbas operimit është konstatuar heqja e trupit të huaj.
I pyetur nëse është dashur ta pyeste pacientin se nga çfarë ka ardhur trupi i huaj (metali në formë të predhës) në trupin e tij, kirurgu tha se zakonisht nuk i pyesin pasi e rëndësishme për ta është realizimi i operacionit në mënyrë të suksesshme.
Më pas, prokurori Njazi Rexha i propozoi gjykatës që të urdhërojë kryerjen e një super-ekspertize psikiatrike për të pandehurin Selimi, me arsyetimin se deklarata e ekspertit lidhur me konstatimin se i akuzuari ka kryer veprën penale në tronditje të fortë mendore, është e paargumentuar.
Prokurori Rexha tha se kemi një vend të ngjarjes me pjesëmarrës të njëjtë, por me dy ekzaminime të të pandehurve që dallojnë njëra me tjetërn, ku eksperti Tahir Bunjaku konstaton se te i pandehuri Selimi ka ekzistuar frika e fortë mendore, edhe përkundër faktit se i dëmtuari ka pasur në duar një kabllo elektrike, ndërsa i pandehuri armë.
Kurse, tha se ekspertja psikiatrike Valbona Blakaj nga i njëjti Institut, konstaton që nuk mund të flitet për frikën e nivelit të lartë që ta dëmtojë vetëdijen kur personi mban armë në duar.
Përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, avokati Asdren Bytyqi mbështeti propozimin e prokurorit Rexha dhe shtoi se ekspertiza psikiatrike për të pandehurin Selimi është joprofesionale, jo e pavarur dhe kontradiktore me vetë deklarimin e ekspertit Bunjaku.
Bytyqi ndër të tjera tha se eksperti Bunjaku ka deklaruar se i pandehuri Selimi në tronditje mendore ka rënë pa fajin e tij dhe pa përgatitje paraprake, ndërsa i pandehuri Selimi e ka ditur se së bashku me tre persona të tjerë, të gjithë të armatosur kanë shkuar në lokalin e të dëmtuarve, pra me përgatitje paraprake dhe me mundësi ballafaqimi.
Avokati Bytyqi tha se eksperti e kishte bërë rolin e mbrojtjes kur kishte thënë se i pandehuri mbajtjen e armës e arsyeton nga arsyet e tij personale, ku sipas tij kjo dëshmon jo-objektivitetin dhe joprofesionalizmin e ekspertizës.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokati Naser Sopjani kundërshtoi propozimin e prokurorit Rexha dhe avokatit Bytyqi, me arsyetimin se ky propozim është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Sopjani i kërkoi Gjykatës që ky propozim të refuzohet, me arsyetimin se ekspertiza nuk ka kontradikta në mes të ekspertëve që e kanë përpiluar, pasi konstatimet janë të qarta dhe përshtaten me të gjitha rrethanat e sqaruara në shqyrtime gjyqësore.
Në fund, Gjykata refuzoi propozimin e prokuroit Rexha për nxjerrjen e super-ekspertizës psikiatrike për të pandehurin Selimi, ndërsa arsyet e refuzimit do të paraqiten në vendim.
Më 8 shtator 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar me dënim unik prej 21 vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Leotrim Selimi, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj.
Mirëpo, ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit, kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 19 janar 2024 Apeli aprovoi ankesat dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.