Sulmet e planifikuara të një grupi mercenar pro-rus në kryeqytetin rumun Bukuresht janë penguar. Policia rumune ka arritur të kapë 14 të dyshuar, në mesin e tyre edhe udhëheqësin e grupit, rumuno-francezin Horatiu Potra.
Gjatë kontrollit të automjeteve të anëtarëve të grupit, policia gjeti dhe sekuestroi disa armë zjarri, disa sëpata, shpata, hanxhar dhe thika, si dhe droga të ndaluara.
Grupi, i cili ishte përfshirë aktivisht në luftën civile në Kongo dhe ka lidhje me grupin mercenar rus Wagner, u kap nga policia në provincën Ilfov, në rrugë drejt Bukureshtit.
Potra është i njohur për mbështetjen e tij të hapur për Calin Georgescu, kandidatin ultranacionalist që fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor, si dhe për simpatitë e tij pro-ruse.
Të premten, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të planifikuar për të dielën, si dhe rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve të 24 nëntorit. Kjo pasi Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare deklasifikoi dokumentet e shërbimit sekret të mërkurën, të cilat zbuluan ndërhyrjen e një “aktori shtetëror” në procesin zgjedhor të Rumanisë.
Dokumentet zbuluan gjithashtu rrjetin që qëndron pas kandidatit të pavarur ultra-nacionalist Calin Georges.
Të njëjtën ditë, presidenti Klaus Iohannis tha se Georgescu mbështetej nga një shtet i huaj, duke përmendur provat e mbledhura dhe të paraqitura atij nga shërbimet kompetente të sigurisë dhe inteligjencës./TheGeopost