Komandanti i rebelëve Abu Mohammed al-Jolani tha në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror të Sirisë pasi forcat e tij pushtuan Damaskun se nuk ka vend për kthim prapa dhe se grupi është i vendosur ta vazhdojë rrugën që e filloi në 2011 gjatë pranverës arabe.
“E ardhmja është e jona”, thuhet në deklaratën e al-Jolanit.
Jolani operoi nga hija prej vitesh. Tani, ai është në qendër të vëmendjes, duke dhënë intervista për mediat ndërkombëtare dhe duke u shfaqur në terren në qytetin e dytë të Sirisë, Aleppo, pasi e nxori atë nga kontrolli i qeverisë për herë të parë në luftën civile të vendit.
Që nga ndërprerja e lidhjeve me Al-Kaedën në vitin 2016, Jolani është përpjekur ta portretizojë veten si një udhëheqës më i moderuar. Por ai ende nuk i ka shuar dyshimet midis analistëve dhe qeverive perëndimore që ende e klasifikojnë HTS-në si një organizatë terroriste.