Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mijëra sirianë largohen nga Homsi, qyteti i tretë i rënë në duart e rebelëve

Mijëra sirianë largohen nga Homsi, qyteti i tretë i rënë në duart e rebelëve

Rebelët sirianë njoftuan se kishin arritur qytetin e tretë më të madh të vendit, Homs.

Mijëra njerëz iu larguan ndërkaq qytetit, të ndodhur në qendër të Sirisë.

Zhvendosja e banorëve u njoftua nga mediat pro-qeverisë dhe nga një organizatë opozitare që po monitoron luftimet.

Më herët të premten, kryengritësit sirianë hynë në dy qytete të tjera, në veri të qytetit të Homsit.

Hyrja në Rastan dhe Talbiseh erdhi një ditë pasi forcat e opozitës morën nën kontroll Hamën, qyteti i katërt më i madh në Siri. Ushtria siriane tha se u tërhoq për të shmangur luftimet brenda qytetit dhe për të mos rrezikuar jetën e civilëve.

Kryengritësit, të udhëhequr nga grupi xhihadist Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, patën thënë se do të marshonin drejt Homsit dhe kryeqytetit Damask, ku është e vendosur qeveria e Presidentit Bashar Assad.

Qyteti i Homsit, pjesë të të cilit kontrolloheshin nga kryengritësit deri në vitin 2014, është një udhëkryq i rëndësishëm midis Damaskut dhe rajoneve bregdetare të Sirisë, Latakia dhe Tartus, ku zoti Assad gëzon mbështetje të gjerë.

Homsi është provinca më e madhe në Siri dhe kufizohet me Libanin, Irakun dhe Jordaninë. Kryengritësit u gjendën të premten 5 kilometra pranë Homsit, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, një grup që monitoron luftën e opozitës.
/Euronews Albania/