Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Reagon Krasniqi: Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi, kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi

Reagon Krasniqi: Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi, kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar ndaj zhvillimeve të sotme në Dhomat e Specilaizuara të Hagës, ku është ngritur aktakuzë e re ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Isni Kilajt, e Bashkim Smakajt.

Ai ngritje pikëpyetje për paanshmërinë gjatë procesit në Hagë.

“Njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore. Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi. Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?”, tha ai.

Krasniqi tutje në “Facebook” ka bërë apel Dhomave të Specializuara që të veprojnë me përgjegjësi dhe vendimet të i mbështeten me fakte.

“Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri. Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës”, tha ai.