Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Përparimi i rebelëve në Siri mund të rrisë tensionet mes Turqisë, Iranit dhe Rusisë

Përparimi i rebelëve në Siri mund të rrisë tensionet mes Turqisë, Iranit dhe Rusisë

Fitoret e fundit të rebelëve sirianë të mbështetur nga Turqia kërcënojnë të nxisin tensionet mes Turqisë, Iranit dhe Rusisë, të cilat janë të përfshira në luftën civile 13-vjeçare në Siri. Por, disa analistë thonë se problemet mes tyre pritet zgjidhen në mënyrë diplomatike.

Ndërsa rebelët sirianë shënuan disa fitore të shpejta kundër forcave të Damaskut, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi zhvilloi bisedime të hënën me homologun e tij turk Hakan Fidan.

Turqia, një mbështetëse e rebelëve sirianë, ka bërë thirrje për dialog me Damaskun dhe zoti Fidan ka thënë se në bisedime duhet përfshirë edhe opozita siriane.

Por shtimi i luftimeve në Siri kohët e fundit ka nxjerrë në pah dallimet mes Ankarasë dhe Teheranit për situatën në terren.

“Irani synon të shtojë ndikimin mbi regjimin e Al-Asadit. Iranianët janë shumë të kujdesshëm dhe janë kundër një dialogu të mundshëm mes Turqisë dhe Al-Asadit. Irani ndoshta nuk është armik i Turqisë, por nuk po sillet në mënyrë miqësore ndaj Turqisë”, thotë studiuesja Bilgehan Alagoz nga Universiteti i Marmaras.

Moska, ashtu si Teherani, ka interesa të mëdha në Siri. Rusia është një mbështetëse jetike ushtarake e presidentit sirian Bashar Al-Assad, i cili ka lejuar marinën ruse të përdorë një port të rëndësishëm në Siri.

“Për Moskën dhe Iranin, qëndrimi i Al-Asadit në pushtet është shumë e rëndësishme. Nëse kërcënohen interesat e saj, Rusia do të përdorte forcën ushtarake, forcat e saj ajrore, që do të shkaktonin një numër të madh viktimash civile dhe një valë e re emigrantësh”, thotë studiuesi Zaur Gasimov nga Universiteti i Bonit.

Më shumë se një milionë refugjatë sirianë ndodhen në kampe pranë kufirit turk në provincën e Idlibit, që kontrollohet nga rebelët sirianë. Në Turqi tashmë ndodhen mbi katër milionë refugjatë dhe analistët thonë se çdo sulm rus që shkakton një eksod të ri refugjatësh do të shkaktonte reagime nga Ankaraja.

“Turqia ka një vijë, që nëse tejkalohet, ajo nuk do të rrinte duarkryq. Nëse do të kërcënoheshin drejtpërdrejt interesat apo siguria e Turqisë, ajo do të ndërhynte”, thotë Murat Aslan, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pavarësisht mbështetjes së palëve rivale në luftën civile siriane, Turqia dhe Rusia i kanë menaxhuar këto dallime dhe udhëheqësit e tyre kanë mbajtur një marrëdhënie të ngushtë.

Ata diskutuan për Sirinë në një telefonatë të martën.

Analistët thonë se për Erdoganin dhe Putinin ruajtja e marrëdhënieve mes tyre është shumë më e rëndësishme se sa dallimet mbi Sirinë.

“Jo në atë masë sa Moska do të rrezikonte bashkëpunimin e saj me Turqinë, e cila është me rëndësi parësore për politikën e jashtme ruse. Moska dhe Ankaraja do të tregojnë pragmatizëm politik dhe do të përpiqen t’i zgjidhin dallimet përmes negociatave me njëra-tjetrën”, thotë studiuesi Zaur Gasimov nga Universiteti i Bonit.

Bazuar në të ashtuquajturin Proces i Astanës, Rusia, Turqia dhe Irani kanë bashkëpunuar për çështjen e Sirisë në të kaluarën. Analistët thonë se procesi i Astanës mund të ringjallet nëse të gjitha palët janë të interesuara për një zgjidhje diplomatike për konfliktin e zgjatur në Siri./VOA/

Themes by WordPress