Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mungesa e njërit të akuzuar shtyn sërish gjykimin në rastin ‘Toka’”

Mungesa e njërit të akuzuar shtyn sërish gjykimin në rastin ‘Toka’”

Seanca e së premtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin “Toka”, ka dështuar të mbahet për shkak se i akuzuari Ilaz Syla mungoi për arsye shëndetësore.

Mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Millaku njoftoi se Syla është i shtrirë në spital dhe se këtë e kishte mësuar në mëngjes nga klienti i tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Millaku dorëzoi disa fotografi si dëshmi, por kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, kërkoi që i akuzuari Syla t’i paraqesë gjykatës dëshmi të rregullta për të arsyetuar mungesën.

Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.

Edhe seanca e datës 30 shtator 2024, nuk është mbajtur për arsye se i akuzuari Azem Syla nuk ishte prezent për shkaqe shëndetësore.

Po ashtu, seancat më 26 dhe 27 shtator u anuluan për shkak se anëtari i ri i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ishte i caktuar paraprakisht në një seancë tjetër gjyqësore.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.