Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Martin Berishaj shfaqet në Bosnjë, e shoqëron Kurtin në aktvitetet atje – Presidentja Osmani e kishte injoruar kur kishte qëndruar në Kroaci

Martin Berishaj shfaqet në Bosnjë, e shoqëron Kurtin në aktvitetet atje – Presidentja Osmani e kishte injoruar kur kishte qëndruar në Kroaci

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Sarajevë ka vendosur lule në Memorialin e Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës. Kurti atje kujtoi jetët e humbura të fëmijëve të vrarë nga forcat serbe gjatë Rrethimit të Sarajevës.

“E nisa vizitën time në Sarajevë duke vendosur lule në Memorialin e Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës së rrethuar – një vend i pikëllimit të thellë dhe kujtimit. Gjatë Rrethimit të Sarajevës (1992–1996), 1,601 fëmijë u vranë si pjesë e mizorive më të mëdha të kryera gjatë Luftës së Bosnjës nga forcat serbe. Kjo figurë tragjike është memorizuar këtu, duke na kujtuar jetët e humbura të pafajshme dhe tmerret e shkaktuara mbi civilët”, ka shkruar Kurti në X,.

Por, bashkë me të në vizitë u panë edhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ndonëse Kurti e ka ftuar edhe në vizitën e tij në Bosnjë, Berishaj ishte injoruar nga presidentja Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj zyrtar në Kroaci.

Mediat sllovene kishin zbuluar një skandal financiar ku raportohej se ambasadori Berishaj ishte i përfshirë në një aferë ku dyshohet për shpëlarje parash.

Kurti në Sarajevë është takuar me dy anëtarë të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës. Ai zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq.

Komshiq pas takimit falënderoi Kurtin për vendimin e njëanshëm për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjës, përkundër që ky vendim s’ka qenë reciprok. Për këtë arsye, Komshiq tha se është lëvizje e jashtëzakonshme e Kosovës.