Organizata “Amnesty International” akuzoi Izraelin se po ushtron gjenocid në Rripin e Gazës në luftën kundër Hamasit, duke thënë se synon shkatërrimin e qëllimshëm të palestinezëve duke kryer sulme të përgjakshme, shkatërruar infrastrukturën jetike dhe duke penguar futjen e ushqimeve, ilaçeve dhe ndihmave të tjera.
Në një raport të botuar sot, organizata e të drejtave të njeriut, thekson se veprimet e Izraelit nuk mund të justifikohen me sulmin e Hamasit më 7 tetor, 2023, që shkaktoi luftën në Gazë dhe as me praninë e militantëve në zonat e banuara me civilë. Amnesty International thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Izraelit mund të jenë bashkëfajtorë në gjenocid dhe u bëri thirrje atyre të ndalin dërgesat e armatimit Izraelit.
“Gjetjet tona tronditëse duhet të shërbejnë si një alarm për komunitetin ndërkombëtar: ky është gjenocid. Duhet t’i jepet fund menjëherë”, deklaroi Sekretarja e Përgjithshme e organizatës, Agnes Callamard.
Izraeli, i cili u themelua si shtet pas Holokaustit, i ka hedhur poshtë akuzat se po ushtron gjenocid, duke i dënuar ato si të nxitura nga antisemitizmi. Shteti i Izraelit po përballet me akuza të ngjashme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërkohë që po kundërshton akuzat e ngritura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale se Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë kryer krime lufte në Gazë.
Dega e “Amnesty International” në Izrael, që nuk është përfshirë në hartimin e raportit, i kundërshtoi akuzat për gjenocid, duke shfaqur kështu përçarje në publik brenda organizatës, gjë që ndodh rrallë.
Në raportin e saj, organizata tha se ka analizuar veprimet e Izraelit në Gazë që nga 7 tetori i vitit 2023 deri në fillim të korrikut. Amnesty International thotë se nuk ka një kufi të caktuar të numrit të viktimave për të dëshmuar krimin e gjenocidit, të cilin Kombet e Bashkuara e përcaktojnë si veprime që synojnë të shkatërrojnë pjesërisht, apo plotësisht, një kombësi, grup etnik, racor apo fetar.
Sipas Amnesty International, për të provuar synimin e veprimeve të Izraelit, organizata shqyrtoi mbi 100 deklarata të qeverisë së Izraelit dhe zyrtarëve ushtarakë që nga fillimi i luftës që “dehumanizonin palestinezët, bënin thirrje, apo justifikonin aktet e gjenocidit dhe krimet e tjera kundër tyre”.
Sipas gjetjeve të organizatës, Izraeli duke “vështirësuar kushtet e jetës së palestinezëve në Gazë synoi që, me kalimin e kohës, të çojë deri në shkatërrimin e tyre”. Këto veprime përfshinë shkatërrimin e shtëpive, fermave, spitaleve dhe ujësjellësit; urdhrat për evakuimet në shkallë të gjerë dhe kufizimin e ndihmave humanitare dhe shërbimeve tjera thelbësore.
Amnesty International analizoi edhe 15 sulme ajrore që nga fillimi i vitit deri në muajin prill që shkaktuan vdekjen e të paktën 334 civilëve, përfshirë 141 fëmijë dhe që plagosën qindra të tjerë. Organizata thotë se nuk ka gjetur prova se këto sulme ishin ndërmarrë ndaj objektivave ushtarake.
Izraeli thotë se ka vënë në shënjestër vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve ngaqë pjesëtarët e grupit militant luftojnë në zona të populluara nga banorë civilë, duke ndërtuar tunele dhe infrastrukturën e tyre afër shtëpive, shkollave dhe xhamive.
Izraeli gjithashtu fajëson Kombet e Bashkuara për mungesën e ndihmave humanitare, duke i akuzuar ato se nuk po shpërndajnë ndihmat nga qindra kamionë që u lejuan të futeshin në Gazë. OKB-ja thotë se shpeshherë rreziku është i lartë për të shpërndarë ndihmat tek banorët dhe fajëson Izraelin si forcë pushtuese për mungesën e sundimit të ligjit dhe se ka kufizuar mundësinë e lëvizjes nëpër Rripin e Gazës.
Deri më tani, mbi 44,500 persona llogaritet se janë vrarë gjatë fushatës ushtarake të Izraelit, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, që nuk bëjnë dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve, por që thonë se mbi gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë.
Lufta filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023 ndaj vendbanimeve izraelite, duke vrarë 1,200 personave, shumica civilë. Grupi militant mori peng edhe rreth 250 persona, përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Rreth 100 pengje ende po mbahen në Gazë dhe besohet se një e treta e tyre kanë vdekur.
Ofensiva e Izraelit është ndër fushatat më të përgjakshme dhe shkatërruese që nga Lufta e Dytë Botërore./VOA/