Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ndërprerë sot seancën e Kuvendit të Kosovës dhe ka kërkuar që deputetët e Listës Serbe ta lëshojnë sallën, meqë sipas tij, është e papranueshme që ata të vijnë vetëm një herë në gjashtë muaj për ta shkruar emrin, në mënyrë që të mos humbin mandatin dhe të vazhdojnë të marrin pagën nga buxheti i Kosovës.
Konjufca me nervozizëm iu është drejtuar atyre, duke e konsideruar edhe si provokim përpjekjen e tyre për të hyrë në sallë dhe për t’i shënuar emrat. Gjithashtu kreu i Kuvendit iu ka thënë deputetëve se rrinë gatitur para kriminelit Radojicic dhe gjejnë guximin për të ardhur në Kuvendin e Kosovës.
“Turp të keni, mbyllet kjo seancë”, ka thënë Glauk Konjufca në këtë seancë dhjetori, kur kanë mbetur edhe dy muaj deri në mbajtjen zgjedhjeve të reja të 9 shkurtit
Megjithatë Lëvizja Vetëvendosje dhe krerët e saj s’kanë qenë të ashpër me Listën Serbe gjithmonë. Kur kanë pasur nevojë për votat e tyre dhe për pazare të votimit, shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, s’ka ngurruar që të bisedojë me ta e as me kriminelin dhe të sanksionuarin nga SHBA-së, Milan Radojicic.
Njeriu që Kurti ia ka besuar drejtimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në përgjimet që janë publikuar në media, dëgjohet teksa bisedon e bashkëpunon me krerët e Listës Serbe, e më skandalozja edhe me Milan Radojicicin.
Vetë Kusari-Lila e ka pranuar në një intervistë të saj që ka biseduar me Milan Radojicicin, ndërkohë ka pretenduar se për një gjë të tillë fillimisht s’ka qenë në dijeni kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por që e ka njoftuar më vonë.
Në përgjime te publikuara, Kusari-Lila, me ndërmjetësimin e Slavko Simiqit, ka biseduar me Milan Radojicicin për agjendën legjislative në Kuvend, konkretisht për miratimin e ligjit për pagën minimale dhe për votimin e dy gjyqtarëve në Gjykatë Kushtetuese.
Milan Radoiçiq ndodhet në arrati nga autoritetet e Kosovës që nga 18 janari 2019 dhe është sanksionuar nga ShBA-ja në dhjetor të vitit 2021.
Ndërkohë që bisedat e Kusari-Lilës me Radojiçiqin janë zhvilluar në javën e dytë të qershorit të vitit 2022./GazetaExpress/