Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, ka treguar në gjuhën shqipe se çfarë ka në çantë, gjatë një interviste për prestigjiozen “Vogue”.
Në këtë intervistë ajo ka folur një fjali shqip duke thënë: “Përshëndetje ‘Vogue’, unë jam Dua Lipa dhe ja çka kam në çantë sot”.
Këtë e ka bërë pasi përmendi se do të donte të mësonte disa gjuhë ndërkombëtare dhe tregoi se di të flasë rrjedhshëm në gjuhën shqipe.
Çfarë ka një yll si Dua Lipa në çantën e saj të brendit “Birkin”?
“Vogue” ka shkruar se çanta e këngëtares është pak kaotike, ku çdo objekt ka rol të veçantë gjatë udhëtimeve të saj.
Përveç sendeve thelbësore si laptopi, çelësat e makinës, pasaporta dhe fletorja, Lipa ka edhe disa gjëra personale që e ndihmojnë të qëndrojë e relaksuar dhe e fokusuar gjatë turneve.
Lipa është lexuese e pasionuar dhe gjithmonë ka libra me vete. Ajo ka thënë se aktualisht po e lexon librin “In the Distance” nga autori Hernán Diaz dhe librin “Not a River” nga autorja Selva Almada, për të pasur diçka që e ndihmon të çlodhet gjatë orëve të gjata të udhëtimit.
Ajo ka edhe një klub leximi mujor në platformën e saj “Service95”, ku diskuton për librat e preferuar me ndjekësit e saj.
“Janë libra që i kam lexuar dhe i dua, dhe i zgjedh për çdo muaj. Shohim nëse edhe autorët duan të bashkohen për një bisedë”, ka thënë Lipa.
Përveç librave, çanta e Lipës është gjithashtu e mbushur me disa sende të tjera interesante.
Ajo gjithmonë ka me vete salca pikante, pasi, siç thotë ajo, “ato e bëjnë çdo ushqim më të mirë”.
Artistja ka gjithashtu shumë palë syze dielli, që i përdor sipas veshjeve ose humorit që ka.
“I koleksionoj. Kam syze të ndryshme për veshje të ndryshme, ose për humorin që kam gjatë ditës”, ka thënë ajo.
Një nga sendet më të papritura që ajo ka në çantë, janë disa letra tarot, të cilat i përdor për t’u argëtuar dhe për të qëndruar e fokusuar gjatë udhëtimeve.
“Më pëlqen të tërheq nga një letër çdo ditë. Ndërsa kur dua të marr një vendim, tërheq një letër dhe shoh çfarë më tregon” thotë Lipa.
Ajo tërheq një letër të tillë për “Voguen”, e cila thotë: “Jeta është magjike”.
Çanta e Lipës nuk është vetëm aksesor mode, por edhe një lloj udhërrëfyesi personal që i ndihmon të mbajë ekuilibrin dhe të mbetet e lidhur me veten e jetën personale, ani pse ka përditshmëri të ngarkuar dhe dinamike.