Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Të paktën 21 të vrarë nga një sulm izraelit në Gazë

Të paktën 21 të vrarë nga një sulm izraelit në Gazë

Një sulm ajror izraelit në një kamp ku strehohen personat e zhvendosur në jug të Gazës la të vrarë të paktën 21 persona, tha drejtori i spitalit Nasser, Atif al-Hout, në qytetin e Han Junisit.

Nga sulmi kanë mbetur të plagosur edhe 28 persona.

Ushtria izraelite tha se një avion tij ushtarak goditi zyrtarë të lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që “ishin të përfshirë në aktivitete terroriste” në atë zonë.

Trupat e të paktën 15 viktimave janë dërguar në spitalin Nasser, por autoritetet shëndetësore thanë se do të jetë e vështirë të dihet numri i saktë i viktimave, pasi shumica e trupave të tyre janë gjymtuar dhe kanë pësuar djegie të rënda.

Sulmi ajror goditi zonën e Muvasit, ku gjendet një kamp që strehon qindra mijëra persona të zhvendosur. Në sulmet e kryera më herët gjatë ditës në Gazë lanë të vrarë tetë persona, përfshirë katër fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës dhe ka bërë që 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave të zhvendoset disa herë.

Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 44.500 palestinezë, mbi gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë. /REL

Themes by WordPress