Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Hezbollahu kryen sulmin e parë ndaj Izraelit që nga armëpushimi

Hezbollahu kryen sulmin e parë ndaj Izraelit që nga armëpushimi

Hezbollahu – grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – ka kryer sulm në zonën kufitare, që është nën kontrollin e Izraelit, më 2 dhjetor, pasi Izraeli ka kryer disa sulme brenda Libanit që kur marrëveshja për ndaljen e armiqësive hyri në fuqi javën e kaluar.

Hezbollahu tha se sulmi i tij – që ishte i pari që nga armëpushimi – ishte paralajmërim në përgjigje të atyre që tha se ishin shkelje të vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli.

Ushtria izraelite tha se dy predha u lëshuan drejt malit Dov, që është një territor i kontestueshëm i cili është nën kontrollin e Izraelit. Ky vend gjendet ku ndodhet kufiri mes Libanit, Sirisë dhe Izraelit.

Nga sulmi i Hezbollahut nuk u raportua për viktima e as dëme materiale.

Ky grup libanez tha se sulmoi pozicionet ushtarake izraelite në këtë zonë si “paralajmërim” për ato që i cilësoi si “shkelje të vazhdueshme” të armëpushimit.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, hyri në fuqi javën e kaluar dhe parasheh ndërprerje të luftimeve për 60 ditë, duke synuar që t’i japë fund luftimeve mbi 1-vjeçare mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Që atëherë, Izraeli ka kryer një sërë sulmesh ajrore në Liban. Sulmet e fundit, Izraeli i kreu të hënën, kur një dron vrau një person që po udhëtonte me motoçikletë në jug të Libanit dhe një sulm tjetër goditi një buldozer të ushtrisë libaneze në qytetin verilindor të Hermelit, duke lënë të plagosur një ushtar.

Izraeli tha se sulmet ishin në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit nga Hezbollahu, por nuk dha detaje se për çarë shkeljesh bëhet fjalë.

Edhe në ditët paraprake ka pasur sulme në Liban.

SHBA-ja dhe Franca kanë për detyrë të monitorojnë të gjitha shkeljet e armëpushimit. Izraeli tha se, sipas marrëveshjes së armëpushimit, rezervon të drejtën që të përgjigjet nëse armëpushimi shkelet.

Hezbollahu ka gjuajtur raketa drejt veriut të Izraelit që nga nisja e luftës në Gazë në tetor të vitit 2023. Ky grup ka thënë se do të ndalë sulmet vetëm pasi Izraeli t’i japë fund luftës së tij në Gazë. Luftimet mes palëve u përshkallëzuan në tetor, kur Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Liban.

Në 14 muajt e fundit, Izraeli ka vrarë pothuajse të gjithë udhëheqjen e Hezbollahut, përfshirë udhëheqësin e kamotshëm, Hassan Nasrallahun, dhe ka shkatërruar arsenalin ushtarak të grupit.

Izraeli është zotuar se do të sigurohet që Irani të mos vazhdojë ta financojë dhe armatosë grupin dhe ka paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al-Assad, kundër lehtësimit të ndihmës iraniane për Hezbollahun. /REL

Themes by WordPress