Pjesa jugore e shtetit të Teksasit mbetet një nga destinacionet kryesore për emigrantët e pashoqëruar nën moshën 18 vjeçare, që futen në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Victor Hugo Castillo nga qyteti McAllen i Teksasit, ndërsa ka patur një rënie të kalimeve gjatë vitit fiskal 2024, krahasuar me vitet e mëparshme, rreziqet me të cilat përballen fëmijët e pashoqëruar vazhdojnë të jenë shqetësuese.
Udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara është i rrezikshëm dhe i frikshëm për çdo emigrant, por kryesisht për fëmijët.
Pavarësisht rreziqeve, mbi 110,000 emigrantë të mitur, që udhëtonin pa prindërit apo një të rritur, u ndaluan nga roja kufitare amerikane gjatë vitit fiskal 2024.
Zëdhënësja e rojës kufitare, Christina Smallwood, thotë se fëmijëve të ndaluar u ofrohet kujdesi bazë.
“Roja kufitare sigurohet që të miturit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe u ofrohet kujdes mjekësor nëse kanë nevojë. Më pas, ata dërgohen në një qendër përpunimi”.
Më shumë se gjysma e të miturve të pashoqëruar, të ndaluar gjatë vitit 2024, ishin në pjesën jugore të Teksasit. Në vend të dytë renditet Arizona e ndjekur nga Kalifornia.
“Mjerisht, këtu në sektorin “Rio Grande Valley”, kemi parë një përqindje të lartë të emigrantëve të mitur të pashoqëruar”, thotë Christina Smallwood, zëdhënëse e rojës kufitare.
Ndërsa është shënuar një rënie e numrit të fëmijëve të pashoqëruar të ndaluar në kufi, çështja mbetet një shqetësim urgjent. Hector Silva, drejtor i qendrës së strehimit të emigrantëve “Senda de Vida”, shqetësohet për rreziqet me të cilat përballen emigrantët e mitur.
“E di se ka rrethana të shumta dhe situata të ndryshme, por mos i braktisni fëmijët. Mos e braktisni djalin apo vajzën tuaj”.
Zoti Silva paralajmëron ndaj paragjykimeve të përshpejtuara. Ndërsa shumë prindër që janë vendosur në Shtetet e Bashkuara, përpiqen t’i sjellin fëmijët e tyre këtu, familje të tjera mund të kenë nisur udhëtimin së bashku, por janë ndarë për shkak të rrethanave të ndryshme në Meksikë.
“Imagjinoni rrëmbimin e një familje emigrante, të mbetur pa para, të zhveshur nga gjithçka dhe që vendos të qëndrojë pranë kufirit”, thotë zoti Silva.
Në situata të tilla, thotë zoti Silva, prindërit mund të gjejnë një mënyrë për fëmijët e tyre që të kalojnë kufirit vetëm, pavarësisht nga rreziqet. Roja kufitare thotë se rreziqet janë të mëdha. Në tetor ata shpëtuan katër fëmijë të braktisur nga kontrabandistët në një gomone në lumin Rio Grande.
“Mos rrezikoni. Në vend të kësaj, aplikoni të hyni në rrugë ligjore në Shtetet e Bashkuara”, thotë zëdhënësja Smallwood.
Jo të gjithë emigrantët kualifikohen për të hyrë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara. Përballë dhunës, varfërisë dhe mundësive të kufizuara në vendet e tyre, shumë emigrantë janë ende të gatshëm të rrezikojnë gjithçka në kërkim të një jete më të mirë./VOA