Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kancelari gjerman Olaf Scholz viziton Ukrainën

Kancelari gjerman Olaf Scholz viziton Ukrainën

Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi të hënën Ukrainën për herë të parë në më shumë se se 2 vjet e gjysmë, disa javë pasi u kritikua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për bisedën telefonike që ai pati me Presidentin rus Vladimir Putin.

Biseda Scholz-Putin u zhvillua në një kohë spekulimesh të shumta për ndikimin që do të ketë për Ukrainën administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili ka premtuar se do t’i japë fund konfliktit.

Në një ndryshim të madh, Presidenti Zelenskyy sinjalizoi të premten se një propozim për anëtarësim në NATO, për të gjithë territorin që kontrollohet nga Kievi, mund t’i japë fund “fazës së nxehtë të luftës” në Ukrainë.

Vizita e zotit Scholz ndodh ndërsa në shkurt pritet të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në Gjermani.

Kancelari gjerman është treguar i kujdesshëm lidhur me diskutimet për një anëtarësim me hapa të përshpejtuar të Ukrainës në NATO. Gjatë muajve të fundit ai ka vënë në dukje rëndësinë për të gjetur rrugën drejt paqes, por jo duke i bërë padrejtësi Ukrainës.

Kancelari Scholz tha se në takimin me Presidentin Zelensky do të njoftojë ndihmë ushtarake shtesë me vlerë prej 650 milionë eurosh për Ukrainën.

“Dua ta bëj të qartë këtu në terren, se Gjermania do të vazhdojë të jetë mbështetësja më e fortë e Ukrainës në Evropë”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, kancelari gjerman u kritikua nga Presidenti Zelensky në nëntor për bisedën që pati me Presidetin Putin. Gjatë bisedës, zoti Scholz i bëri thirrje Putinit të niste negociatat me Ukrainën, por udhëheqësi rus tha se në çdo marrëveshje paqeje duhet të njiheshin fitoret që ka siguruar në terren Rusia si edhe interesat e saj të sigurisë, duke përfshirë heqjen dorë nga Kievit të synimit për anëtarësim në NATO./VOA

Themes by WordPress