Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Haxhiu kërkon nga Prokuroria intervistimin e Kadriajt, pas akuzave se kanë djegur objektin e IML-së

Haxhiu kërkon nga Prokuroria intervistimin e Kadriajt, pas akuzave se kanë djegur objektin e IML-së

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Këtë akuzë e ka bërë gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për qeverisjen katër vjeçare të Qeverisë Kurti.

“Ke premtuar që keni me e zbardh rastin e Astrit Deharit, pse nuk e keni zbardhur, i keni zhduk dhe i keni vjedh mostrat, e keni djeg Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha Kadrijaj para deputetëve.

E lidhur me këtë akuzë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta ftoj për të dhënë dëshmi deputeten Kadriaj.

“Deputetja Time Kadrijaj pak më herët tha se e keni djegur Institutin e Mjekësisë ligjore. I bëjë thirrje Prokurorisë që menjëherë dhe pa vonesa ta ftoj për të dhënë dëshminë deputetja Kadrijaj për të treguar se kush e paska djegur Institutin e Mjekësisë Ligjore sepse ekspertët e zjarrit po thonë që ka qenë defekt elektrik në pajisje, e deputetja po thotë që e kanë djegur”, tha Haxhiu.

Më 25 mars të 2023-së, objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët.

Ndërsa, më 21 nëntor të 2023-së një tjetër zjarr kaploi ndërtesën e këtij Instituti i cili përfshiu disa zyra në katin e dytë të ndërtesës, si dhe pjesën e çatisë mbi të.