Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti: Dëmtimi i kanalit të ujit në Veri është luftë kinetike, Washingtoni dhe BE duhet ta dënojnë Beogradin

Kurti: Dëmtimi i kanalit të ujit në Veri është luftë kinetike, Washingtoni dhe BE duhet ta dënojnë Beogradin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin me eksploziv në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ai ka vizituar sot vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ka thënë se një gjë e tillë mund të kryet vetëm nga organizata profesioniste, e që sipas kryeministrit, kapacitetet për një gjë të tillë i ka vetëm Serbia.

Kurti ka përmendur organizatën terroriste “mbrojtja civile”, duke thënë se e njëjta gjendet në lista e rrogave të Serbisë.

“Unë e pashë vendin e ngjarjes, këtë s’ka mundësi ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarët e zakonshëm. E ka bërë një organizatë që është profesioniste për sulme të tilla terroriste dhe kapacitetin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia. Mbrojtja civile është në listë të rrogave në Serbi dhe në organogramin e shtetit agresor të Serbisë, prandaj dhe ne e mbajmë Serbinë përgjegjëse për këtë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka tërhequr edhe një paralele me intensifikimin e sulmeve të Rusisë ndaj strukturës kritike të Ukrainës, duke thënë se tashmë s’bëhet fjalë vetëm për luftë hibride por edhe për luftë kinetike.

“është e qartë që lufta hibride ka marrë hov të madh dhe është bërë ajo që quhet edhe në literaturë në strategjitë ushtarake e të mbrojtjes si luftë kinetike. Sepse po synohet dëmtimi i infrastrukturës kritike ku dëmi është maksimal. Dëmi maksimal është synuar edhe këtë sulm terrorist”

“Serbia financon orkestron dhe mbështet organizata të tilla, prandaj e bëjmë fajtore Serbinë. Kërkojmë që Washingtoni dhe Brukseli ta dënojë Beogradin. Nuk është e rastësishme heshtja e presidentit të Serbisë. Nuk është e rastësishme që ata po presin se sa është dëmi, sa na kanë destabilizuar, në mënyrë që të shohin se çfarë episodesh të tjera të organizojnë”, ka thënë kryeministri.

Themes by WordPress