Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, Këshilli i Sigurisë aktivizon FSK’në dhe policinë për të siguruar objekte dhe shërbime të caktuara

Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, Këshilli i Sigurisë aktivizon FSK’në dhe policinë për të siguruar objekte dhe shërbime të caktuara

Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, në orët e para të mëngjesit, pas shpërthimit të mbrëmshëm që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj, dhe se Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim, raporton Express.

“Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Kurti ka kërkuar nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm, që thotë se ka shkaktuar dëmtime të mëdha.

“Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”, citohet të ketë thënë Kurti.

Themes by WordPress