Shkruan: Afrim Kasolli
Pas një heshtje të gjatë, më fund foli edhe vetë kryeministri Kurti, për fjalimin vjetor të presidentes Osamani, para deputetëve të Kosovës.
Kjo e fundit ndonëse nuk ishte e kishte përmendur me emër shefin e Qeverisë në këtë fjalim, megjithatë kishte adresuar sulme të ashpra veçanërisht në drejtim të politikës së Jashtme të Kosovës dhe trajtimit të aleatëve. Sipas të parës së shtetit, këto raporte jetike, janë konvertuar në lojë bixhozi, sjellje kjo që e dëmton pozicionin ndërkombëtar shtetëror, sepse “forca e jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleanca mes shteteve janë më të mëdha e me të fuqishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjes. Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim i një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtar e barabartë në mes kombeve të lira, ato janë këtu për na të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, lutja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë”, pohoi ndër të tjera Presidentja Osmani.
Ndërkohë, gjatë ditë së sotme, kryeministri Kurti u shpreh i befasuar me tonet e këtij fjalimi, sepse fillimisht, ai pohoi se “ vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin Konjufca edhe ministren e jashtme Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”. Kështu, “arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdoj”. Mirëpo, ajo që mbetet me simptomatike në këtë përçarje, ka të bëjë me faktin se “katër komunat ne veri ka edhe siguri ka edhe zhvillim ka edhe demokraci, jo sa do të duhej por pa krahasueshëm më mirë se sa më parë”.
Është ky formulim, më shumë se sa tentimi për ta relativizuar tensionin, që flet mbi armiqësinë e dy mbartësve kryesorë të pushtetit në Kosovë. E para sipas kryeministrit Kurti, presidentja Osmani është pozicionuar kundër arritjeve kryesore të kësaj qeverie, shtrirjes së sovranitetit në veri. Në këtë mënyrë, në kohën kur ajo duhet të jetë më e rreshtuar se kurrë më parë me pushtetin, ajo ka dhënë shenja të “dezertimit politik” për t’u solidarizuar me presionin ndërkombëtar, kundër vendosmërisë së shtetit të Kosovës, për ta çliruar atë pjesë nga ndikimi i strukturave kriminale të Serbisë. Po ashtu, ajo tashme ka dëshmuar se është peng i të njëjtës mendësi sikur se e “regjimit të vjetër” që më shumë e çmon subordinimin ndaj ndërkombëtarëve, se sa mbrojtjen e sundimit të ligjit në çdo cep të Kosovës.
Kryeministri Kurti, vetëm sa e dëshmoi sot, se për të, tashmë presidentja Osmani është pozicionuar kundër sukseseve të tij në pjesën veriore, sepse kështu po vlerësohet nga diplomatët e huaj dhe opozita, përkundër ndryshimeve të gjendjes në terren dhe sukseseve të brendshme. Pra sjellja e saj, në sytë e shefit të Qeverisë së Kosovës, nuk paraqet asgjë më shumë, pos një sabotim politik ashtu siç të tjerë para saj kishin bërë./tvarbëria/