Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Barasvlerësimi i Kosovës me Serbinë

Barasvlerësimi i Kosovës me Serbinë

Shkruan: Afrim Kasolli

Politika e jashtme një shteti mund të konsiderohet e suksesshme, për aq kohë sa veprimet e tij konsiderohen si legjitime në aspektin ndërkombëtar dhe denigrohen ato vendit kundërshtar.

Bie fjala, SHBA edhe pse kanë kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake, politike diplomatike dhe ekonomike për të ushtruar presion ndaj vendeve të saj armike, megjithatë gjatë gjithë kohës angazhohen që fillimisht ato t’i diskreditojnë ato ndërkombëtarisht. Që sjelljet e tyre të shihen në kundërshtim me standardet, normat dhe të drejtën ndërkombëtare. Sot krejt kritika e këtij vendi ndaj Kinës bazohet në qëndrimin është se ky shtet në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, nga të cilat ka përfituar jo pak ekonomikisht, me anë të subvencioneve shtetërore për kompanitë e saj, po i cenon këto rregulla dhe po përfiton padrejtësisht. Po ashtu, ajo në antinomi me rregullat ligjore nuk ka telashe të bëjë transaksione ekonomike dhe me liderë që i shpërfillin të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike, për dallim shtetet demokratike që ngurojnë të përfshihen në kësi marrëdhënie, çfarë edhe po ju krijon telashe këtyre të fundit. E të mos flasim për agresionin imperialist të Rusisë në Ukrainë. Pra qëllimi është që të delegjitimohet edhe narracioni i vendeve armike.

Ndërkohë, të gjithëve na kujtohet se si gjatë viteve ’90, krejt përpjekja e liderëve politikë të Kosovës, ishte se si ta diskreditonin ndërkombëtarisht politikën shtypëse shtetërore të Serbisë. Pra ta ekspozonin si jo legjitime dhe të bazuar vetëm një përdorimin brutal të forcës e në kundërshtim me parimet demokratike të “fundit të historisë”. Kjo strategji i dha legjitimitet kauzës së politikë sonë, deri sa në fund e bindi bashkësinë ndërkombëtare që shteti i Kosovës është i pashmangshëm dhe jo sovraniteti klasik shtetërore mbi të cilën thirrej Serbia, sepse çdo opsion për rikthim të Kosovës nën atë sovranitet u bë i paimagjinueshëm. Pra sigurimi i fitores së jashtme morale dhe diplomatike, përkundër raportit të disfavorshëm të forcave policore dhe ushtarake, u tregua jo pak efektive si strategji.

Mjerisht, kohën e fundit në aspektin ndërkombëtar kemi filluar ta humbim këtë aureole. Kosova nuk pat asnjë sukses diplomatik në raport me Serbinë, madje as pas agresionit të hapur shtetëror dhe paramilitar të grupeve të armatosura nga Serbia, më 24 shtator të vitit të kaluar. Përkundrazi, u shtua presioni edhe me shumë mbi të që t’i plotësojë detyrimet e saj në raport më Marrëveshjen bazë të Brukselit si dhe Aneksin e zbatimit në Ohër, me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Se hapi i parë i takon Kosovës në këtë drejtim tashmë është qëndrim i zyrtar i Brukselit dhe një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Raporti i Progresit për vitin 2024. Në anën tjetër, ky sulm i paprecedent u barasvlerësua në mënyrë të njëllojtë me aksionin për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Këshill të Sigurimit të OKB-së, si nga vendet mike ashtu edhe armike. E, të mos flasim për faktin se vendi ynë vazhdon të jetë ende nën masa sanksionuese, pa asnjë anëtarism në organizata ndërkombëtare si dhe pa asnjë njohje të re.

Në anën tjetër gjithnjë e më shumë diplomatë dhe burrështetas perëndimorë janë duke i trajtuar në mënyrë të njëllojtë sjelljet e Kosovës dhe Serbisë, ose me dhe sy më negativ të së parës. Para pak kohe ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, pat deklaruar për Evropën e Lirë se nuk e kupton pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara, dhe se e para me veprimet e veta, po e bën që Qeveria në Beograd të duket si palë e dëmtuar, diçka që ka qenë e pa imagjinueshme se mund të ndodh. Kurse, para pak dite raportuesi i Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, Josip Juratoviq, i cilësoi Kurtin dhe Vuçiq-in si “partnerë idealë të pandershmërisë”, të dy negociojnë “me një fik në xhep”.

Këto vlerësime dëshmojë se tashme Kosova nuk po shihet si ndryshme nga Serbia në arenën ndërkombëtare. Ky zhvleftësim i supermacisë morale dhe politike të Kosovës në raport me Serbinë mund të ketë pasoja të pa parashikueshme politike dhe strategjike, në një botë gjeopolitike gjithnjë e më armiqësore, pavërisht suksesit momental elektoral që mund ta prodhojë./tvarbëria/

Themes by WordPress