Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Trump rriti tarifat, Meksika paralajmëron shkurtim të 400,000 vendeve të punës në SHBA

Trump rriti tarifat, Meksika paralajmëron shkurtim të 400,000 vendeve të punës në SHBA

Tarifat e reja të propozuara nga presidenti i zgjedhur Donald Trump për shtete si Meksika dhe Kanadaja do të çojnë në shkurtimin e 400 mijë vendeve të punës në SHBA.

Alarmi është ngritur nga Ministri i Ekonomisë në Meksikë, Marcelo Ebrard, i cili tha sot se tarifat totale prej 25% të propozuara nga Trump, do të shkaktojnë kolaps në tregun e punës dhe do të ngadalësojnë rritjen e ekonomisë së Amerikës, duke goditur gjithashtu eksportet meksikane.

“Kjo është vetë-minuese”, tha ministri meksikan gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se Meksika dëshiron një bashkëpunim dhe integrim më të madh rajonal në vend të një lufte tarifore hakmarrëse.

Ebrard tha se tarifat e propozuara do të godasin veçanërisht rëndë eksportuesit kryesorë të automjeteve në botë, veçanërisht Ford, General Motors dhe Stellantis, dhe do të rrisin çmimet e automjeteve për konsumatorët me mijëra dollarë.

Ndërkohë, Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum bëri thirrje dje për dialog dhe bashkëpunim mes dy partnerëve tregtarë, një ditë pasi Donald Trump shpalli masën, e cila duket se bie ndesh me marrëveshjen e tregtisë së lirë që ai nënshkroi gjatë mandatit të tij të parë.

Ajo la të kuptohej se Meksika do të përgjigjej me tarifa hakmarrëse ndërsa analistët spekulojnë për mundësinë e një lufte të re tregtare nën presidencën e manjatit republikan.

Shoqata e industrisë së automjeteve të Meksikës AMIA tha se do të përgatitet për çdo eventualitet dhe do të presë të shohë se çfarë veprimi zyrtar do të ndërmerret.

Themes by WordPress