Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Detaje të reja se si ndodhi sulmi në stacionin e policisë në Zveçan, intervistohen disa të dyshuar

Detaje të reja se si ndodhi sulmi në stacionin e policisë në Zveçan, intervistohen disa të dyshuar

Mbrëmjen e mërkurës stacioni i Policisë së Kosovës në Zveçan është sulmuar me dy granata dora nga dy persona për të cilët policia e Kosovës po interviston dëshmitar që mund të qojnë në gjetjen e tyre. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se janë duke mbledhur informacione në terren deri sa ka shtuar se në veri situata mbetët e qetë por e brishtë.

Mëngjesi i së mërkurës ishte i qetë por jo nata e së martës.

Mbrëmjen e së martës rreth orës 11:55 minuta, janë hedhur dy granata dore në stacionin e Policisë së Kosovës në komunën e Zveçanit. Policia e Kosovës të mërkurën tashmë ka filluar hetimet.

Sipas hetimeve fillestare siç ka mësuar Tëvë1, dy persona erdhën nga rruga afër stacionit policor dhe me granata dore të prodhimit serb m75, sulmuan stacionin e policisë.

Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale.

Në pjesën prapa objektit të policisë, dyshohet se u hodh njëra, ndërsa tjetra nga një pjesë tjetër ku dhe janë thyer xhamat e objektit.

Si pasojë e shpërthimit, u dëmtua edhe një televizor.

Të mërkurën erdhën edhe hetues policor nga Prishtina.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se janë duke u intervistuar disa persona të dyshuar për rastin.

“Sidoqoftë ne në këtë moment kur po flasim këtu njësiti i regjionit tonë së bashku me hetimet edhe të Prishtinës janë duke zhvilluar intervistime janë duke kryer detyrat e veta policore, janë duke mbledh informacione në mënyrë që ta ndriçojmë këtë rast”, tha Elshani.

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci e ka cilësuar sulmin, akt terrorist.

“Rasti i djeshëm më shumë është çështje e MPB, pra Policisë së Kosovës, duke qenë që është një akt terrorist i izoluar por i ndërlidhur me aktet e vazhdueshme që grupet e ndryshme paramilitare kanë ndërmarrë kundër vendit tonë duke përfshirë edhe synimin për të aneksuar pjesë të territorit tonë në 24 shtatorin e vitit të kaluar”, u shpreh Maqedonci.

Edhe kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka reaguar duke e quajtur këtë sulm serioz dhe të papranueshëm ndaj institucioneve të vendit.

Nga ana tjetër, ditë më parë Qeveria e Kosovës njoftoi se në fshatin Izvor të Zveçanit, në veriun e banuar me shumicë serbe, po ndërtohet një nënstacion i ri policor.