Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Çka do të ndodhë me Hezbollahun pas armëpushimit në Liban?

Çka do të ndodhë me Hezbollahun pas armëpushimit në Liban?

Rrugët ishin të mbushura me vetura teksa njerëzit të cilët lëviznin në këmbë, mbanin çanta me gjërat e tyre, të pasigurt se ku do të shkonin, por të sigurt se nuk mund të qëndronin.

Kjo ishte skena të martën në Nuweiri, në qendër të Bejrutit, pak çaste pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime evakuimi, të parat për këto zona.

Izraeli dhe Hezbollahu kryen sulme edhe pak para se të arrihej marrëveshja e armëpushimit të martën.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë se objektivat e goditura ishin objekte të përdorura nga Hezbollahu dhe vala e sulmeve u dëgjua në të gjithë qytetin.

Tashmë është shpallur zyrtarisht armëpushimi, por pikëpyetjet mbeten.

Lufta ka qenë shkatërruese për Libanin. Më shumë se 3,700 njerëz janë vrarë që nga fillimi i armiqësive në tetor të vitit 2023, dhe një milion banorë janë zhvendosur në zonat ku Hezbollahu ka prani të fortë.

Banka Botërore vlerëson 8.5 miliardë dollarë humbje dhe dëme ekonomike. Rimëkëmbja do të marrë kohë dhe nuk dihet se kush do të paguajë për të.

Sipas marrëveshjes, mijëra ushtarë libanezë do të vendosen në jug, pas tërheqjes së forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hezbollahut. Mbetet e paqartë se si do të vendosen ata.

Ushtria është ankuar se nuk ka burime, para, fuqi punëtore dhe pajisje për të përmbushur detyrimet e tyre.

Por nuk ka të bëjë vetëm me financimin, i cili ndoshta do të vijë nga disa prej aleatëve ndërkombëtarë të Libanit. Pyetja që shtrohet tani është se a do të përballet ushtria libaneze me Hezbollahun nëse është e nevojshme?

Kjo do t’i vinte libanezët kundër libanezëve, gjë që është gjithmonë rrezik në një vend ku ndarjet janë të thella.

Autoritetet libaneze duket se kanë pranuar që gjërat duhet të ndryshojnë, ka thënë një diplomat për BBC-në. Duket se ka vullnet politik për ta bërë këtë.

Hezbollahu, gjithashtu, është shkatërruar. Shumë nga udhëheqësit e tij janë vrarë, duke përfshirë shefin e vjetër Hassan Nasrallah, ndërsa infrastruktura i është dëmtuar rëndë. Se si do të duket pas luftës është një tjetër e panjohur.

Grupi është dobësuar rëndë, disa do të thoshin është poshtëruar, por nuk është shkatërruar. Në Liban, ai është më shumë se një milici, është një parti politike me përfaqësim në Parlament dhe një organizatë shoqërore, me mbështetje të konsiderueshme mes myslimanëve shiitë.

Kundërshtarët e tij mund ta shohin si mundësi për t’ia kufizuar ndikimin. Para konfliktit, Hezbollahu shpesh përshkruhej si shtet brenda një shteti në Liban.

Dhe për muaj të tërë, njerëzit jashtë bazës mbështetëse të Hezbollahut kanë thënë se grupi e kishte tërhequr vendin në një luftë që nuk ishte në interesat e tij.

Kjo marrëveshje mund t’i japë fund konfliktit me Izraelin. Por shumë në Liban kanë frikë se mund të pasojë një konflikt i ri i brendshëm.

Themes by WordPress