Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga fillimi i pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, nuk është se ka munguar shqetësimi strategjik në Uashington, se mbështetja perëndimore në përgjithësi dhe amerikane në veçanti për të parën, e ka forcuar edhe më shumë aleancën ndërmjet Moskës dhe Pekinit, që po ashtu nuk është interes i SHBA-ve. Dhe ku në fund, si pasojë e këtij raporti është duke përfituar Kina, si rivali kryesor strategjik i Amerikës. Sepse tashmë Moska është shndërruar në vasale ekonomike dhe politike të Pekinit, çfarë paraqet një humbje strategjike për Uashingtonin. Ky i fundit nuk ka dyshim që ka për qëllim që Kremlini të dështojë në Ukrainë, por jo të përfundojë si koloni e Kinës. Një Rusi e orientuar ka Perëndimi dhe në rivalitet me Kinën është interesi primar i Uashingtonit.
Sot për sot ky skenar duket i pamundur, sidomos pas vendimit të fundit të presidentit Biden për të lejuar Kievin për të përdorur armët me rreze të gjatë veprimi në thellësi të territorit rus. Ketë suspendim të kufizimeve amerikane, presidenti Putin e ka përdorur për të forcuar edhe më shumë narracionin e tij se Rusia nuk është në luftë me Ukrainën, sepse sipas botëkuptimit të tij fantazmagorik historik, kjo as nuk ekziston si entitet i veçantë kombëtar, por me Perëndimin përkatësisht NATON-n. Si kundërpërgjigje ai i testoi raketat e reja balistike në Ukrainë, të cilat janë të afta të mbartin koka bërthamore dhe që po ashtu mund të godasin deri në 5500 km distancë. Pra çdo cep i shteteve të NATO-së në Evropën Perëndimore mund të jetë cak i tyre. Po ashtu, Kremlini njoftoi opinionin se e ka ulur pragun e doktrinës bërthamore.
Në këtë kontekst, kjo ndarje Rusisë nga Ukraina do te jetë qëllim strategjik i SHBA-ve gjatë viteve në vijim. Por mbetet dilemë se si do të arrihet. Duke e lodhur teje mase Rusinë në këtë luftë, deri sa ajo ta bindet se nuk ka tjetër opsion vetëm se të rikërkojë shpëtimin drejt një riafrimi me Perëndimin, ashtu siç kishte ndodhur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, apo nëpërmjet një kompromisi duke mos i shpërfillur plotësisht interesat e saj në Ukrainë? Secila prej këtyre dy opsioneve taktike janë shprehje e strategjisë së sipër cekur. Ajo nuk është asgjë tjetër, pos një riinkarinim i qasjes së viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur administrata amerikane e ish-presidentit Richard Nixon, ia kishte dalur nën ndikimin e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, ta përçante aleancën sino-sovjetike, me qëllim izolimin e Bashkimit Sovjetik, njërit prej rivaleve kryesor gjeopolitik atëbotë të SHBA-ve dhe në këtë mënyrë të pengohej një bllok unik ideologjik i pushtetit në euro-azi. Mirëpo, siç dihet ky riaranzhim nuk kishte ndodhur pa një kompromis. Ngase, që nga ajo kohë, ishulli i Tajvanit e humbi të drejtën të jetë përfaqësues legjitim i Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare si kishte funksionuar deri atëherë. Dhe stafeta e këtij përfaqësimi i kaloi Pekinit.
Këtu duhet pasur parasysh se ish-diplomati amerikan dhe arkitekti i kësaj kthese, Henry Kissinger, ishte ithtar i vizionit real politik të shtetarit të njohur gjerman Otto von Bismarck, i cili deklaronte se sa më larg që i mban nga njëri-tjetri armiqtë e Gjermanisë, atëbotë Francën dhe Rusinë, aq me më shumë përfitime do të kishte shteti i tij. Është interesant se kjo doktrinë kishte gëzuar një reputacion ta madh në qarqet e mendimit strategjik amerikan të teoricienëve me orgjinë hebraike, sikur Kissinger, Hans Morgenthau, etj, që patën emigruar përtej brigjeve të Atlantikut nga persekutimi i regjimit nazist të Hitlerit. Të gjithë ata ishin shprehur me admirim për shtetarin që e bëri të mundur bashkimin e Gjermanisë dhe e zhvendosi boshtin e fuqisë evropiane drejt qendrës si dhe mënyrës si i mbante ekuilibrat e pushtetit atëbotë. Madje sipas, Kissinger-it, tragjedia e kombit gjerman ishte mungesa e një trashëgimtari sa i përket aftësive gjeniale të Bismarck-ut.
Po ashtu, kjo doktrinë dallon nga strategjia, që bie fjala SHBA-të kishin ndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’i luftuar të dy armiqtë e saj në të njëjtën kohë, si Japoninë Imperialiste në Lindje të Largët ashtu edhe Gjermaninë Naziste në Evropë. Natyrisht, sipas historianit amerikan Srephen Kotkin, sot kjo edhe nuk është e mundur, sepse atëbotë Amerika kishte pasur sukses edhe për shkak të faktit se Uashingtoni e kishte ndihmuar Ushtrinë e Kuqe me armatim, kure kjo e fundit me trupa, ku llogaritet se deri në 27 milionë ushtarë të kësaj ushtrie kishin rënë në beteja. E njëjta kishte ndodhur edhe në teatrin e luftës në Azi-Paqësor. SHBA-të i kishin furnizuar me armatim dhe pajisje trupat e Chiang Kai-Shek, ku ai humbi më se 13 milionë trupa. Mirëpo, sipas historianit një fjalë, sot as që mund të imagjinohet një strategji e tillë, për shkak të kufizimeve të shumëfishta të SHBA-ve.
Prandaj, duket që i vetmi opsion në tavolinë ka mbetur “ringjallja” e Bismarck-ut në Shtëpinë e Bardhë. Dilema mbetet se në çfarë mënyre do të jetësohet ky projekt strategjik. Po ashtu, është se është iluzion shpresa se ajo nuk do të ketë implikime për Kosovën. Është imperativ strategjik të kuptohen dinamikat gjeopolitike që po na presin në mënyrë që të mos mbetemi në margjina të zhvillimeve ndërkombëtare./tvarbëria/